Dje, në kuadër të luftës kundër korrupsionit she krimit të organizuar, në Malin e Zi janë ndaluar nga policia drejtori i Administratës së Pasurive të Paluajtshme, Dragan Kovaçeviq, Ana Lakiqeviq e Kërsto Paviqeviq, shefe e njësisë regjionale në Tivar dhe Drejtorisë dhe një gjeometër, pasi akuzohen për abuzim me pozitën e tyre zyrtare.
Prokurorja speciale Lidija Mitroviq, ka urdhëruar ndalimin e tyre për 72 orë, pasi dyshohet se kanë abuzuar me detyrën e tyre zyrtare dhe kanë përdorur burime shtetërore për qëllime personale.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se qeveria e re ka premtuar një luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Sidomos kundër korrupsionit të nivelit të lartë, i cili çon tek njerëzit që kanë mbajtur poste të rëndësishme. Unë mendoj se drejtori i Administratës së Patundshmërive është një pozitë jashtëzakonisht e rëndësishme në çdo vend … Ka të bëjë drejtpërdrejt me kadastrat e të gjitha komunave. Kishte parregullsi të shumta atje. Unë respektoj prezumimin e pafajësisë, por unë dua të lavdëroj SDT-në ”, ka thënë ai.
Ai tha se Qeveria nuk do të tolerojë asnjë ligësi dhe do të drejtojë gishtin tek kushdo që është i korruptuar.