Prania e Kobet mbetet e fortë, trashëgimia e tij po rritet

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Kobe Bryant nuk ishte me skuadrën e Los Angeles Lakersave vjeshtën e kaluar kur ata e fituan titullin e kampionit në NBA. Ai nuk ishte as në fundjavën “All-Star” të mbajtur në qytetin e Chigagos, ku gjysma e lojtarëve mbanin numrin e tij në uniformat e tyre derisa gjysma tjetër mbanin numrin e fanellës së vajzës së tij, Giannas.

Bryanti nuk ishte i pranishëm as në ceremoninë për t’i dëgjuar fjalët se karriera e tij ishte e denjë për t’u regjistruar në “Hollin e të Famshmëve të Basketbollit. Megjithatë, prania e tij ndihej kaq qartë në secilin prej këtyre momenteve. Bryanti, vajza e tij, Gianna, dhe shtatë personat e tjerë që u ngjitën në bordin e helikopterit të dielën në mëngjesin e datës 26 janar të vitit 2020 në Kaliforninë Jugore janë zhdukur saktësisht para një viti – dita e martë shënon edhe përvjetorin e zymtë të rrëzimit të helikopterit që u mori jetën. Që nga ajo kohë, lotët janë derdhur, janë treguar histori dhe janë bërë homazhe. Dhe nëse kishte ndonjë dyshim në lidhje me atë lloj trashëgimie që la pas vetes Bryant – fitues i pesë titujve të kampionit në NBA, ende koshëshënuesi i katërt në historinë e NBA-së, një lojtar me karrierë 20-vjeçare – atëherë gabohen të gjithë. Trashëgimia e Bryantit po rritet çdo ditë e më shumë pas vdekjes së tij dhe prania e tij po ndihet më shumë se kurrë. Bryanti ende bën jehonë, mbase më shumë se kurrë.

“Zoti e prehu shpirtin e tij, Zoti e prehu shpirtin e Gigit dhe shtatë të tjerëve që u zhdukën”, tha ndihmëstrajneri i Miamit dhe ish-lojtari i NBA-së, Caron Butler, i cili ishte shumë i afërt me Bryantin për vite me radhë. “Trashëgimia që la ai është shumë e fortë dhe nuk zhduket kurrë. Ai i bëri të gjitha. Ai frymëzoi të gjithë. Kështu që, trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë, sepse Kobe ka qenë jo vetëm sportist, por person i veçantë në çdo aspekt”.

Bryanti nuk është më, por kjo nuk do të thotë që Butleri po lëkundet nga premtimi që e ka bërë. Butleri kur ishte basketbollist dhe luante për LA Lakers kishte disa zakone të këqija, të cilat Bryanti e nxiti që të hiqte dorë prej tyre. Dhe, Butleri pranon se Bryanti i ka ndihmuar shumë, jo vetëm atij, por të gjithë lojtarëve në ekip. Butleri zakonisht e pinte pijen “Mountian Dew”, madje edhe gjatë ndeshjeve kur të tjerët mendonte se po pinte “Gatorade”. Butleri ishte duke xhiruar një reklamë vitin e kaluar për pijen “Mountain Dew”. Ai piu një gllënjkë para kamerave dhe pastaj e pështyu pijen jashtë.

Image

“Për respekt të vëllait tim, Kobet”, tha Butleri kur u pyet për veprimin e tij.

Butleri dhe Bryanti ishin vëllezër në kuptimin e shokëve të skuadrës. Tony Altobelli humbi vëllain e tij, John Altobellin, në atë aksident me helikopter. Alyssa Altobelli ishte një bashkëlojtare e Gianna Bryantit; ajo ishte në helikopter së bashku me Johnin, babanë e saj dhe nënën Keri.

John Altobelli ishte trajneri i bejsbollit në kolegjin “Orange Coast” në Kaliforninë Jugore. Tony Altobelli është drejtor i informacionit sportiv në atë shkollë; drejtorët e informacionit sportiv kanë për detyrë t’i promovojnë ekipet e tyre, në kohë të mira dhe të këqija, gjithmonë duke u përpjekur të gjejnë një mënyrë pozitive për të treguar një histori. Dhe disi, edhe për një histori të dhimbshme si kjo e aksidentit të datës 26 janar të vitit të shkuar, Tony Altobelli ka arritur ta bëjë atë. Vëllai i tij vdiq me Kobe Bryantin. Kështu që, bota e mësoi se kush ishte vëllai i tij.

“Është bukur ta shohësh kujtimin e tij, dhe vetëm mënyrën se si jeta e tij po respektohet nga njerëzit përtej zonës sonë, më bën të ndihem krenar për gjithçka që ka bërë Johni”, ka thënë Tony Altobelli. “Duhet vullnet i madh për ta pranuar humbjen e Johnit. Mirëpo, unë në shaka kam thënë se nëse duhej të ndodhte ashtu, atëherë jam i lumtur që një figurë globale, si Kobe ishte kur aksidenti ndodhi. E them këtë, sepse tani e gjithë bota e di për vëllain tim, kunatën dhe mbesën time. Dhe, personalisht mendoj se kjo është shumë e bukur ndonëse e vështirë për t’u pranuar”.

Christina Mauser vdiq, gjithashtu, në atë përplasje; ajo ishte një nga trajneret në akademinë e Bryantit. Tony Altobelli dhe burri i Christinas, Matt, ishin bërë miq vitin e shkuar; ata nuk e kishin njohur njëri-tjetrin para 26 janarit të vitit 2020. Matt Mauser ka organizuar një koncert për t’i nderuar ata që vdiqën në atë aksident, që gjithashtu do të shërbejë edhe si një përfitim për fondacionin që ai e nisi në kujtim të gruas së tij.

Sarah Chester dhe vajza e saj 13-vjeçare, Payton, një tjetër nga lojtaret së bashku me Giannan dhe Alyssan, ishin gjithashtu në bordin e helikopterit. Gjithashtu, vdiq edhe piloti Ara Zobayan. Skuadra e LA Lakersit ishte në ajër kur u publikua lajmi i kobshëm. Ata po ktheheshin nga ndeshja që e kishin pasur në udhëtim, saktësisht në vendlindjen e Bryantit, Filadelfia. Fjala u përhap shpejt rreth NBA-së për vdekjen e Kobet; ekipi Golden State Warriors sapo kishin filluar stërvitjen kur dikush e bëri të ditur lajmin e hidhur.

“Gjithçka u ndal”, kujton Steve Kerr, trajneri i Golden Statet. “Muzika u ndal. Lojtarët u ndalën. Askush nuk tha asnjë fjalë. Shumë djem ranë në dysheme dhe filluan të qanin. Asgjë nuk ndodhi për dhjetë minuta. Ne të gjithë, thjesht u ulëm atje në heshtje. Ishte një nga momentet më të këqija në të gjithë jetën tonë”.

LA Lakers nuk po planifikojnë ndonjë shënim zyrtar të ditës, e as NBA-ja. Nuk është një ditë për festë. Është një ditë për përkujtim, jo ​​se është e nevojshme. Trashëgimia e Bryantit jeton edhe më tej. Ai nuk do të harrohet. Nuk do të harrohet as data 26 janar 2020.

“Unë nuk mendoj se askush prej nesh do ta harrojë kurrë atë ditë”, pranoi Kerr.

E atë datë të kobshme nuk e ka harruar as ylli i LA Lakersave, LeBron James, gjë të cilën e konfirmoi ditë më parë.

“Thuhet se koha shëron të gjitha, por nuk po del të jetë ashtu. Të gjithë në ekip ende po e vuajnë humbjen e Bryantit. Ai është legjendë dhe legjendat nuk vdesin kurrë”, ishin fjalët e Jamesit pas fitores së LA Lakersave ndaj Chicagos vikendin e shkuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme