Mërgimtarë të shumtë kanë nisur të hyjnë në Kosovë në prag të festave të fundvitit, ndërsa këtë herë kthimi i tyre përkon edhe me zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, raporton Ekonomia Online.
Në pikën kufitare të Merdarës, disa prej tyre kanë shprehur qëndrime të ndryshme për arsyen e ardhjes në Kosovë dhe për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
Sabri Bajrami nga komuna e Podujevës, i cili jeton në Finlandë, tha se në Kosovë ka ardhur për pushime të Vitit të Ri, por se do të marrë pjesë edhe në zgjedhje. Ai theksoi se do ta votojë PDK-në dhe se nuk do ta votojë Vetëvendosjen, duke kritikuar ashpër qeverisjen aktuale.
“Ne kemi ardhë për pushimi që janë për Vitin e Ri. Po gjithsesi (do të marrim pjesë në zgjedhje). Unë e votoj PDK-në, veç VV-në nuk e votoj kurrë për jetë. Partia që është në pushtet, këta janë mashtrues, këta gjë nuk kanë bërë për këtë vend. Këta janë katastrofë e Zotit. Ndryshon nëse vjen Bedri Hamza kryeministër e ndryshon Kosovën diçka tjetër, jo”, tha ai.
Florim Mazreku nga Malisheva, i cili jeton në Itali, tha se në Kosovë kanë ardhur kryesisht për zgjedhje. Ai u shpreh se mbështetja e tij politike është për LDK-në,
“Nuk i kemi pasur sendet për me ardhë në Kosovë, kemi ardhë veç për zgjedhje. LDK gjithmonë babë e babëgjysh, ajo është në zemër tonë, s’ka tjetër këtu, tjerat janë veç fallco. Nga këto zgjedhje presim sa ma shpejt me largu Albin Kurtin dhe me dërgua për Cernogorë aty ku e ka vendin, jo këtu. Nuk i ka mbetur asgjë, e kemi parë punën e tij. Megjithëse kurrë nuk kemi pasur besim në të, por e dimë që është zero me punë. Çka ka bërë për Kosovë ai është zero”, tha ai.
Mazreku foli edhe për atë që e konsideron përçarje në shoqëri, duke theksuar se kjo është një nga pasojat më negative të qeverisjes aktuale.
Ai deklaroi se përçarja mes qytetarëve për shkak të partive politike është e dëmshme dhe se, sipas tij, kjo nuk i ka shërbyer vendit.
“Fatkeqësisht ajo çka i ka bërë Kosovës është përçarja e madhe që i ka futur popullatës mes vete. Ky është një gjest shumë i lig. Mall e ki me hy në rrjete sociale me postu diçka nga komentet negative, nuk janë votues të saj, por janë kinez që paguhen nga paratë tona për të na ofenduar neve, kjo është fatkeqësia më e madhe. Le që nuk ka bërë gjë, ka mendu se bën, nuk ka bërë, e ka parë që nuk është shkop magjik kjo punë. Është në pyetje se këtë përçarje nuk ia kemi pasur me borxh. Për çka përçarjen, populli mos me u dashtë ndërmjet vete për shkak të partive. Është gjynah, nuk e di qysh kërkon që përsëri me votu, për çka me votu, çka ke bërë ti. Nga këtu në Morinë sa autostrada, sa rrugë është bërë, e ti me një urë po don me dëshmu që mundesh me qeveris përsëri. Për këtë punë u ndala më së shumti me folë, ëndërr e kam pas me më dalë një herë e mi thanë atyre që po flasin nëpër Facebook e gjëra: marre ju kofte me profile fallco. Asnjë nuk ka profilin e vet”, tha ai.
Ndryshe nga ta, Dani Loshaj nga Gjermania tha se ardhja e saj në Kosovë ka qenë vetëm për vizitë. Ajo deklaroi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, duke shtuar se udhëtimi drejt Kosovës ka qenë i lehtë dhe pa vështirësi.
“Ne kemi ardhur për me vizituar Kosovën. Jo, nuk do të dalim. Nuk marrim pjesë (në zgjedhje). Shumë mirë ka qenë rruga e lirë, për 10 orë prej Frankfurtit, kemi ardhë këtu”, tha ajo.



