Që nga viti 1999, në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ekzistojnë probleme në furnizim me energji elektrike, nuk funksionon pagesa e energjisë elektrike, as shpërndarësit e autorizuar nuk kanë mekanizma për të arkëtuar mjetet për shërbimet e dhëna.
Teksa vetëm 10 për qind e qytetarëve paguajnë rrymën në atë pjesë të Kosovës. Kështu u tha me rastin e publikimit të analizës së marrëveshjes për energji dhe telekomunikime “Terr dhe heshtje pas marrëveshjes së Brukselit”.
Kosova edhe më tutje vazhdon të humbë miliona euro në vit për shkak të bllokimit të Marrëveshjes për Energji, e cila ishte nënshkruar në vitin 2013 në mes të palës kosovare dhe asaj serbe. Kjo marrëveshje pritet të jetë njëra nga pikat kryesore që do të diskutohen në Bruksel në fazën e ardhshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Sneźana Dapić, nga MIR tha se proceset në marrëveshjen e Brukselit nuk janë transparente për qytetarët dhe këta të fundit nuk kanë njohuri dhe informata për këto procese.
“Ky proces i energjetikës dhe të gjithë proceset që ndërlidhen me marrëvehsjet e Brukselit nuk janë transparente, qytetarët njohin shumë pak procesin dhe nuk kanë informata konkrete se çfarë bartin këto. Kur flitet për marrëveshjen e energjetikës duhet thënë se vet procesi kishte filluar më 2011 kur tema e enegjetikës ishte vendosur në bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe tash 6 vite më vonë kjo fushë nuk ka lëvizje të caktuar “, tha Dapic.
Ajo tha se praktikë tjetër që rrjedh nga këto marrëveshje është mospagesa e rrymës nga viti 1999, ku sipas saj vetëm 10% e qytetarëve rregullisht paguajnë shpenzimet e rrymës ndërsa pjesa tjetër jo.
“Një tjetër konkluzion është se kemi interpretime të ndryshme nga dy palët negociuese sa i përket rrjedhës së gjërave të dakorduara. Ajo është e rëndësishme për gjendjen për veri të Kosovës është se komunat në veri janë përgjegjëse për furnizimin me rrymë. Ajo çfarë është një praktikë e caktuar që ekziton që disa vjet është mospagesa e rrymës nga viti 1999 dhe sipas hulumimit të organizatës tonë të dhënat tregojnë se mbi gjysma e qytetarëve nuk paguajnë rregullisht faturën për rrymën e shpenzuar dhe gjysma e tyre kanë borxhe që tejkalojnë 3 vjet. Vetëm 10% e qytetarëve rregullisht paguajnë shpenzimet për rrymë. Ajo se çfarë qytetarët si problematikë shohin si furnizim të rrymës është infrastrukura e dobët, sistemi i vjetësuar , ndriçimi i vogël publik dhe infrastrukrurë e dobët në viset rurale”, tha Dapic.
Sanja Sovrlliq, nga MIR, ka theskuar se për dallim të energjetikës, procesi i telekomunikimit paguhej por që kishte probleme edhe në zbatimin i tij.
Rezultati më i rëndësishëm i zbatimit të Marrëveshjes së telekomunikacionit sipas saj është krijimi i “MTS SH.P.K”.
“Telefonia paguhej edhe më herët ende kishte probleme në zbatimin e marrëveshjes në telekomunikim. Sa i përket kodit të Kosovë, në vitin 2013 ka filluar të funksionoj kodi +383, ishin përcaktuar disa afate. Më vonë kanë filluar zbatimi i disa pikave të tjera të marrëveshjes. Ndryshimi në telekomunikim ka ndodhur në veri të Kosovës. Para marrëveshjes së telekomunikimit në veri vepronin 3 kompani të komunikimit, pas marrëveshjes është krijuar një kompani e komunikimit e cila është regjistruar në dhjetor të vitit 2016. Shfrytëzuesit të cilët nuk ishin ç’regjistruar nga kompanitë e vjetra dhe të regjistroheshin në kompaninë e re kishin pasur problem kur ishte ç’kyqur. Në momentin para se të zbatohej marrëveshja faturat lëshoheshin në denarë tani ato lëshohen në euro”, tha Sovrlliq.