Përzgjedhësi i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, e ka të vështirë ta pranojë humbjen e thellë 6:0 nga përfaqësuesja U-21 e Anglisë.
Por, ai pranon se forca e Kosovës përballë anglezëve nuk ishte e mjaftueshme, në veçanti në pjesën e dytë, në të cilën Kosova i pranoi gjashtë golat për ta humbur thellë ndeshjen e zhvilluar të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pjesa e parë e ndeshjes kualifikuese për kampionatin evropian “Euro 2021” në mes Kosovës dhe Anglsië përfundoi pa gola.
Humbja më e thellë deri më tani është pranuar rëndë nga Kosova U-21. Madje, Prekazi nuk kishte folur fare pas ndeshjes.
“Kam futur lojtarë edhe 18 apo 19-vjeçarë, sepse situata ishte ashtu. Pjesa e parë ka qenë realisht e mirë, e kemi lejuar vetëm një goditje ta bëjë kundërshtari, kurse edhe ne kemi bërë presion. Kurse pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe. Erdhi në shprehje kualiteti dhe përgatitja fizike. Sidomos pas golit të dytë të pësuar, më nuk kemi pasur forcë as energji për t’i bërë ballë kundërshtarit. Lojtarët në pjesën e dytë aq e kishin forcën, sidomos pas tri zëvendësimeve që i bëri trajneri i Anglisë”, ka thënë Prekazi të dielën për KOHËN.
Në fakt, Kosova në ndeshjen ndaj Anglisë u paraqit me shumë mungesa për shkak të situatës me koronavirus. Shumë lojtarë nuk u lejuan nga klubet e tyre evropiane të vijnë në Kosovë, për shkak se vendi ndodhet në zonë të kuqe për numrin e madh të të infektuarve me COVID-19.
Prekazi ka theksuar se Kosova e ka të vështirë ta përballojë mungesën e ndonjë lojtari e lëre më të plot 15, sa kishte tentuar t’i afronte e nuk ia doli.
“Në situatën që jemi, Kosova e ka më të vështirë ta përballojë atë se shtetet e tjera. Lojtarët nuk kanë mundur të vijnë, derisa ata dy që erdhën tashmë janë në karantinë, të cilët i falënderoj për vullnetin dhe sakrificën që kanë bërë për shtetin e tyre”, ka deklaruar Prekazi, që ka shtuar se në lojë kundër anglezëve të kompletuar, kishte inkuadruar edhe dy futbollistë me moshë më të re. Prekazi ka thënë se shumë lojtarë nga klubet e Kosovës janë grumbulluar për herë të parë.