Përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi, ka thënë se pas rezultatit 0:2 çdo skuadër e ka të vështirë të rikthehet, por shpirti luftarak i lojtarëve të Kosovës ishte vendimtar.
“Pas rezultatit 0:2 çdo skuadër e ka të vështirë të rikthehet, sidomos tani ne si Kosovë, duke e ditur nivelin që kemi, por djemtë treguan karakter dhe goli i parë na riktheu në lojë. Djemtë luajtën me vetëbesim, por edhe në aspektin taktik jemi përmirësuar nga ndeshja e kaluar”, tha Prekazi për gazetarët pas fitores së futbollistëve të tij.
“Kemi shfaqur disa dobësi në fillim të ndeshjes, por shpirti luftarak i lojtarëve tanë ka qenë vendimtar”.
“Edhe pas kësaj fitoreje nuk guxojmë të fluturojmë, pasi jemi të vetëdijshëm si për kushtet që kemi ashtu edhe për kualitetin dhe përvojën e paktë në këto gara. Por, për një gjë ju siguroj se këta djelmosha nuk ia kanë frikën asnjë rivali”, theksoi Prekazi.