Premier League ka dalë unanimisht kundër planeve për formimin e Superligës Evropiane dhe po planifikon të ndërmarrë hapa kundër gjashtë klubeve nga top-liga angleze që janë pajtuar për këtë garë të re evropiane.
Manchester Unitedi, Chelsea, Arsenali, Tottenhami e Liverpooli dhe Manchester City të dielën njoftuan se janë pjesë e planeve për të marrë pjesë në një garë të ndarë nga UEFA.
Të martën Premier League është përgjigjur duke thënë se është takuar me klubet tjera për të diskutuar për ndikimet e menjëhershme të këtij propozimi.
“14 klubet që morën pjesë në takim, unanimisht dhe fuqishëm kanë kundërshtuar planet për këtë garë. Premier League po konsideron të gjitha masat e mundshme për të parandaluar një gjë të tillë, si dhe do t’u kërkojë llogari aksionarëve të përfshirë”, thuhet në njoftim.
Në fund, në një komunikatë për media, Premier League ka thënë se reagimi i madh i tifozëve kundër kësaj gare ka treguar se ata janë për futboll të hapur.