Premierliga ka bërë të ditur se do ta përkrahë idenë e prezantimit të trofeut për Liverpoolin, nëse skuadra e Jurgen Kloppit shpallet kampione dhe nëse një gjë e tillë vlerësohet e sigurt.
Skuadra e Jurgen Kloppit, që ka epërsi prej 25 pikësh në kreun e tabelës, duhet t’i fitojë vetëm edhe dy ndeshje për ta siguruar matematikisht trofeun e parë si kampion i Anglisë në 30 vjet.
Megjithatë, shpallja e Liverpoolit si kampion i Anglisë është vënë në dyshim shkaku i ndërprerjes së kampionatit në mars, si pasojë e përhapjes së virusit Covid-19.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Premierligës, Richard Masters, e ka konfirmuar se ai do t’i përkrahë planet për prezantimin e trofeut nëse situata e lejon një gjë të tillë.
“Nëse është e mundshme, atëherë po. Është e natyrshme që ata të duan ta kenë një prezantim të trofeut”, ka thënë Master.
“Ti dëshiron t’ua japësh lojtarëve dhe të gjithë stafit momentin për të cilin kanë punuar aq shumë, nëse ndodh kjo gjë. Po, ne do të tentonim ta realizonim këtë, përveç nëse do të pamundësohej shkaku i shqetësimeve për siguri”.
Të hënën, klubet e Premierligës votuan unanimisht për t’i rinisur seancat stërvitore në grupe të vogla nga e marta, si hap drejt rinisjes së kampionatit në Angli.