Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së: Liberalizimi i vizave për Kosovën është prioritet i yni

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Edhe pse që nga viti 2018, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave nga ana e Bashkimit Evropian, këtë të drejtë ende nuk e gëzon shteti më i ri në Evropë.

Mirëpo Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian për vitin 2022, duket se e ka marrë shumë seriozisht shtyrjen përpara të këtij procesi.

Këtë iniciativë ia ka konfirmuar Klan Kosovës edhe Veronika Lukashova, e cila është zëdhënëse e Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së.

Sipas saj, çështja e liberalizimit të vizave është prioritet dhe dëshirojnë të shohin një vendim pozitiv deri në fund të Presidencës Çeke.

“Presidenca Çeke e ka rifutur dhe rihapur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në grupin punues të vizave të tetorit dhe ne do të vazhdojmë diskutimet sërish në javën e dytë të nëntorit”, ka thënë ajo për klankosova.tv.

“Është prioritet për Presidencën Çeke dhe ne dëshirojmë të shohim një vendim pozitiv në këshill deri në fund të Presidencës Çeke, duke përfshirë një afat kohor të miratuar se kur do të hyjë në fuqi heqja e vizave për Kosovën”.

E pyetur rreth propozimit të Francës që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me hyrjen në fuqi të Sistemit Evropian të Informacionit të Udhëtimit dhe Autorizimit, ajo ka thënë se një sistem i tillë do të jetë i detyrueshëm për të gjithë qytetarët e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe që nuk kanë nevojë për vizë për zonën Schengen.

“Sistemi Evropian i Informacionit të Udhëtimit dhe Autorizimit do të jetë i detyrueshëm për të gjithë ata që nuk janë shtetas të BE-së dhe që nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen”.

Lukashova vlerëson se sistemi ETIAS pritet të jetë funksional në vitin 2023.

Kujtojmë se Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian për vitin 2022 është presidenca e dytë e Çekisë e Këshillit e mbajtur midis 1 korrikut dhe 31 dhjetorit 2022. Republika Çeke mbajti presidencën e parë nga 1 janari deri më 30 qershor 2009.

Të ngjashme