Presidenca shqiptare i është përgjigjur ashpër deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili mohoi sërish masakrën e Reçakut.
Zëdhënësi e Presidencës, Tedi Blushi, tha se Presidenca shprehet se gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë dhe shton se faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes në rajon.
“GJAKU I REÇAKUT NUK BËHET UJË! Ish-zëdhënësit e xhelatit Millosheviq dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine! Faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës”, thuhet në reagimin nga Presidenca.
Aty thuhet tutje se krimi mbetet krim, as harrohet e as vjetrohet.
“Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme! Mirënjohje përjetë ambasadorit Walker për zbulimin dhe denoncimin para gjithë botës së Masakrës së Reçakut! LAVDI TË PËRJETSHME MARTIRËVE TË KOSOVËS!”, ka shkruar zëdhënësi Blushi.