Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e ardhshëm me palën serbe në Bruksel, i cili do të mbahet gjatë muajit shtator, do të diskutohet për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.
Në takimin e tretë me radhë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi, i cili pritet të mbahet në fillim të muajit shtator, si temë e diskutimit do të jetë edhe çështja e Luginës së Preshevës.
Nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë pohuar për gazetën “Zëri” se në këtë takim do të bisedohet mbi kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën.
Duke folur rreth këtij paralajmërimi përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se presidenti Thaçi ka hyrë në “aventura” sa i përket çështjes së kufijve.
Sipas tyre, opsioni për korrigjim të kufijve, të cilin po e përmend në vazhdimësi presidenti Thaçi, nxit tensione, dobëson pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmton shtetësinë që është ndërtuar në dekadën e fundit.