Presidenca s’respekton afatin që Ekipi Shtetëror ia dha për dorëzimin e dokumentacionit rreth dialogut

Prishtinë | 12 Jan 2019 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Ekipi Shtetëror në bisedime me Serbinë, që përbëhet prej 8 vetash, ende s’ka pranuar dokumente që posedon presidenti Hashim Thaçi mbi procesin e dialogut që është zhvilluar deri tash.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti që është bashkëkryesues i Ekipit Shtetëror, javën e kaluar ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kohë deri të premten (dje), që t’ia dorëzoj ekipit dokumentacionin rreth dialogut, por ai se ka bërë.

“E kemi dorëzuar kërkesën si Delegacion Shtetëror te Presidenca që të na ofrojë të gjithë materialin që e ka në dispozicion, ka afat deri të premten, që i bie 11 janar. Pra, ne kërkojmë që të na dorëzohet ky dokumentacion, që ka diçka që është diskutuar, ato çështje mund t’i flasim. Nuk ka kuptim që neve si Delegacion të mos na vihet në dispozicion dhe nuk kam parë ndonjë rezistencë të madhe, tash mbetet të shohim. Pra, edhe Thaçi duhet ta kuptojë që nuk është kjo garë me njëri tjetrin, është një bisedë”, ishte shprehur Ahmeti.

Ahmeti tregoi se ia kanë kërkuar zyrtarisht këto dokumente, dhe se Thaçi është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“E jona është që t’i kërkojmë zyrtarisht. Ne i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare. Presidenti është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin. Është çështje e përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore. Si delegacion shtetëror, ne kemi bërë punën tonë”, ka thënë Ahmeti.

Koha.net sot ka provuar të marrë përgjigje nga këshilltarët e Thaçit, Blerim Shala e Ardian Arifaj, por nuk ka arritur. I pari s’ka qenë i qasshëm ndërsa i dyti, ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me sms, por ende s’është përgjigjur.

Edhe bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit, Fatmir Limaj, ditë më parë tha se janë në pritje të këtij dokumentacioni.

“Delegacioni ka filluar punën, kemi marrë dokumentacione që janë në Qeverinë e Kosovës nga e kaluara që është biseduar në raport me Serbinë. Kemi kërkuar edhe nga presidenti dokumentacionin që ka rreth dialogut që është biseduar në Bruksel t’ia ofrojë delegacionit, tani jemi në pritje”, kishte thënë Limaj.

Ahmeti në Intervistën për Koha.net, ndër të tjera flet për rrjedhën e procesit të dialogut, se si do të shkohet herën tjetër në Bruksel. Kujtojmë se ky ekip u kritikua për numrin e madh që ka.

“Delegacioni Shtetëror ka numër të caktuar anëtarësh, të votuar nga Kuvendi i Kosovës, secili me përfaqësim të veçantë. Meqenëse ishte takimi i parë me karakter njoftues, atëherë të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm. Po bëhet fjalë për dialog ku do të diskutohen zgjidhjet për të gjitha temat e hapura. Ne jemi në proces të rekrutimit të profesionistëve më të mirë për secilën temë. Në anën tjetër, më herët kemi pasur alarm mbi udhëheqjen e procesit vetëm nga një person, kurse tash që kemi Delegacion të votuar nga Kuvendi, sikur pengon gjithëpërfshirja. Në takimet e radhës, përbërjet do të jenë të ndërtuara sipas përgjegjësive dhe temave dialoguese”, tha Ahmeti.

Ekipi Shtetëror është paralajmëruar se do të takohet përsëri këtë të hënë, ku temë diskutimi do të jetë edhe çështja e dokumentacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme