Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej nga shtatori i vitit të kaluar të ishte me përbërje të re, por një gjë e tillë nuk po ndodh akoma.
Kompletimin e KQZ-së po e vonon emërimi i anëtarëve të rinj të këtij institucioni, i cili aktualisht ka vetëm kryetaren, Valdete Daka, shkruan Indeksonline.
Disa nga partitë politike akoma nuk kanë dërguar në zyrën e Presidentit të Kosovës, emrat e të propozuarve të tyre, çka po neglizhohet kjo çështje.
Zyra e Presidentit ka thënë se janë në pritje të të gjithë emrave nga partitë.
“Zyra e Presidentit nuk i ka pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga subjektet e përcaktuara me ligj. Kurse, propozimet që i kemi pranuar tashmë janë në fazën e kompletimit me dokumentacionin shtesë të nevojshëm, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhet në përgjigje.
Sipas presidencës, në ditët e ardhshme do të merren vendimet lidhur me këto propozime.
Kujtojmë se muajin e kaluar, presidenti Hashim Thaci e emëroi Valdete Dakën edhe për një mandat në krye të KQZ-së.