Lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së Zoran Zaev mbajnë sot një takim në Klubin e Deputetëve lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale te 21 prillit dhe mundësinë për paraqitje me kandidat të përbashkët konsensual nga ana e mazhorancës.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për RTK-në thotë se ai e ka zgjatur dorën për bashkëpunim me opozitën shqiptare për kandidat të përbashkët shqiptar, por për fat të keq, dy partitë opozitare e kanë refuzuar. Ai thekson se ka vullnet që të arrihet marrëveshje për kandidat konsensual për president në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit, por kjo varet nga të dyja palët.
Ndërsa VMRO-DPMNE-ja në kongresin partiak, që u mbajt të shtunën në Strugë e zgjodhi profesoreshën e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska Davkova për kandidat të tyre presidencial.