Presidenti amerikan, Joe Biden dënoi rastet e dhunës ndaj komunitetit hebre në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit.
Sulmet fizike ose verbale u raportuan kundër hebrenjve në Nju Jork, Los Angjeles dhe Florida gjatë 11 ditëve të luftimeve në Gaza midis Izraelit dhe militantëve palestinezë.
“Sulmet e fundit ndaj komunitetit hebre janë të neveritshme dhe ato duhet të ndalen. Unë e dënoj këtë sjellje me bazë urrejtjen brenda dhe jashtë vendit”, shkroi Biden në një postim në Twitter.
Gilad Erdan, ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, tha se ai shpresonte që krimet e urrejtjes do të shmangen dhe që sulmuesit do të dalin shpejt para drejtësisë.
“Kjo duhet të ndalet. Në mënyrë të qartë demonizimi i Izraelit po nxit këtë rritje të antisemitizmit”, shkroi Erdan.
Të premten (21 maj), pesë grupe kryesore hebraike i bën thirrje presidentit Biden të kundërshtonte antisemitizmin dhe rekomanduan veprime specifike, duke përfshirë luftimin e urrejtjes në kampuset universitare dhe rritjen e sigurisë për institucionet fetare.
Përmes një letre, këto grupe thanë se që kur filloi konflikti në Gaza, janë shënuar incidente të shumta antisemitike në të gjithë botën dhe në Shtetet e Bashkuara, përfshirë në mediat sociale.
“Autorët e këtyre sulmeve shënjestruan qëllimisht institucionet dhe individët hebrenj për asnjë arsye tjetër përveç fesë së tyre”, thuhej në letër.
Joseph Borgen, 29 vjeç, tha se ai u sulmua nga një grup njerëzish në qendër të Nju Jorkut të enjten mbrëma. Sipas tij ata bënin thirrje antisemite.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti midis Izraelit dhe Hamasit ka hyrë të hënën në ditën e katërt. Zyrtarët mjekësorë thanë se 248 njerëz u vranë në Gaza gjatë 11 ditëve të luftimeve. Mjekët thanë se nga sulmet me raketa të Hamasit u vranë 13 persona në Izrael.
Luftimet filluan më 10 maj pas disa javësh të rritjes së tensioneve izraelito-palestineze në Jerusalem. Kulmi i tensioneve arriti kur përleshjet filluan në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Pastaj, Hamasi filloi të shkrepte raketa në drejtim të Izraelit, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse të forcave izraelite.