Kështu pra, u rrit më në fund edhe paga e Presidentit. Kryeministri dhe njëzetenjë ministrat dhe dy herë nga dyzet zëvendësministrat, duhet të presin edhe pak. Veç derisa të këndellet ekonomia jonë. Këmishë e kollare ka mjaft edhe sa për këtë mandat. Dilemat se kah me i marrë paret për me i rritë pagat, kur ekonomia nuk po e ndjek ritmin e debateve nëpër portale, televizione e në Parlament, është dilemë e paqenë. Për kryet e punës gjendet mënyra. Deri tash politika ka marrë nga donacionet, nga buxheti, nga ndërmarrjet publike, nga krejt çka është publike, e tash nuk ka më se nga, kështu që jemi në krizë… prej nga me i rritë rrogat?
Për me e rrit rrogën e presidentit duhet të ulen rrogat në biznese, qofshin ato publike apo edhe private, sepse edhe privatit i rritet haraçi që duhet të paguajnë te politika, dhe për të mbijetuar ata nuk do të ulin fitimin e vet, por gjithsesi do prekin te rrogat. Propaganda gjithëpërfshirëse, me gëzimin masiv për uljen e pagave në kompani publike, i ka rehatuar edhe sindikatat në kompanitë private të cilat sikur nuk ekzistojnë kur është fjala për kushtet e mjera dhe pagat mikroskopike në sektorin privat. Punëtorët e kanë kuptuar se aq e ka kaçikun biznesi ynë. Shteti është superfuqi. Kur nuk mundet shteti, ku privati. Ani pra kompanitë private po i gëlltisin ato publike. Fillimisht bëhen publiko-private, pastaj krejt private. Pronë e politikës, me një fjalë.
E, presidenti po, ai duhet gjithqysh me u dukë perfekt kur të takohet me bosët e tjerë të rajonit. Edhe ne kemi kalë për garë, thotë fjala e moçme. Fytyrë është kjo. Ai i përfaqëson si është më së miri krejt komplekset tona kolektive. Luks dhe shkëlqim për oligarkinë dhe të gjithë ne duhet të punojmë për këtë. Pakashumë, politika është si dita e grave në dasmë. Të hënën duhet me i renditë nuset dhe nuk bënë me u koritë. Po të jetë nevoja duhet me e shitë edhe lopën që milet, e me ble dukat. Krejt me kujtua që jetojmë si familja mbretërore angleze. Jemi apo nuk jemi shtet?
Pastaj, ne jemi vend kapitalist dhe socializmi ka vdekur. Nga socializmi na ka mbetur vetëm mendësia politike dhe trashëgimia politike. Edhe fiset janë (rin)gjallë. Kombinim fatal!
Nejse, populli ynë ka edhe gajle të tjera të cilat me ndërhyrjen edhe të faktorit ndërkombëtarë dalëngadalë po i zgjedh. Për shembull kjo puna e grimit doli të jetë po aq me rëndësi jetike, se edhe falimentimi i mundshëm i kompanive publike, apo dialogu në qorrsokak.
Kush ka të drejtë: Arbana apo Sellma? Qysh me fjet njeri me këtë dilemë? Po të pyesje se cila duket më bukur, ndoshta dilema do të kishte më pak, por kur pyet se kush ka të drejtë kjo po që është dilemë, sepse po dalin në sipërfaqe dilema jo veç estetike, por edhe etike, e besa edhe politike. Plot dilema jeta jonë! Përfundimisht mediat nuk na lënë me fjet, janë bërë aleatët më të mëdhenj të krimit dhe të industrisë së paorganizuar farmaceutike. Apo është organizuar tashmë, pas sulmeve kundër revolucionare të Hetemit, në sistem?
Nejse, stres, pagjumësi, pastaj vijnë pasojat e “ëmbla” të stresit dhe njeriu po mbushet, po trashet, po shton në peshë dhe përfundon domosdo në programe ushtrimesh apo në dieta ekstreme. Bukuria është biznes. Ndërkohë që fytyra e politikës shëmtohet, pa grim, duhet me shkua te Sellma. Kemi hyrë ne rreth vicioz nga i cili nuk dilet. Pra, Arbana apo Sellma? Harroji dilemat e paqena të politikës, grindjeve në ekran e puthjeve pas ekrani.
Ra martesa e princit britanik, si sebep, dhe u alarmuan edhe grimueset e famshme te ne, sidomos për çmimet e tyre astronomike, bashkë me dizajnerët e shumë profesione të tjera të cilat gjallërojnë dhe begatohen falë parapolitikës tonë dhe snobizmit të saj. Përpjekje mitike me e ba të bukur, politikën! Politikë me fytyrë, tallava. Arbana edhe nga Amerika po e përzien detin.
Mos e dhashtë Zoti të kujtohen miqtë tanë, e vëllezërit e politikës tonë, ata nga Lindja, me ndërhy në këtë luftë dhe me e ringjallë traditën tonë otomane të lyerjes së politikës me të bardhë të zhivës, se ashtu vdes krejt mega-biznesi i zbukurimit të oligarkisë vendore dhe segmenteve të tjera mbarëkombëtare, e ndërkombëtare që zbukurohen përmes Kosovës.
Por, përse në titull, presidenti dhe Sellma, do pyesni? E pse jo? Kot! Duket se parim bazik i Olimpit te ne është se kë e kritikon më shumë, e do më shumë. Ose do ta duash në të ardhmen. Kështu që mund të pritet së shpejti të shohim Arbanën të bërë akull, duke dalë prej sallonit të Sellmës krah për krah, e duke qeshur me të madhe me këdo që këtë (mos)marrëveshje çasti e kishte pa si një armiqësi të re pikante, në skenën tonë qytetare e (mbarë)kombëtare. Politika nuk mbijeton pa lemzë e pa stres. Të gjithë duan me i përmend, qoftë edhe kot…! Lartmadhëri, më shaj në vesh, e luste dikur Nastradini mbretin!
Presidenti po ankohet se mediat po merren me të. Edhe për fara të kungullit po të shkruajnë, presidentin e përmendin. E qysh mos me u marrë? Olimpi për gjithçka ka faj! Për gjithçka që pretendon se ka merita…!