Presidenti dhe zgjedhje të reja në pranverë? Analistët tregojnë çfarë fshihet pas paralajmërimeve të Kurtit

Prishtinë | 05 Jan 2026 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Paralajmërimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për zgjedhje të reja në pranverë, në rast të bllokimit të zgjedhjes së presidentit, po interpretohen nga analistët politikë si një strategji presioni ndaj opozitës dhe jo si një synim real për ta çuar vendin sërish në zgjedhje.

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, thotë se deklaratat e Kurtit duhet interpretuar në funksion të balancave parlamentare dhe interesave politike aktuale.

“Paralajmërimet e Kurtit për zgjedhje të tjera në pranverë, në rast se bllokohet zgjedhja e presidentit, duhet interpretuar më shumë si një strategji politike dhe një formë presioni ndaj opozitës, sesa si një synim real për ta çuar vendin sërish në zgjedhje”, shprehet Emini për Telegrafin.

Ajo thekson se Kurti është i vetëdijshëm për kufizimet numerike në Kuvend.

“Ai e di se, edhe pse ka një shumicë të qëndrueshme për formimin e qeverisë, nuk mund të garantojë kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit pa bashkëpunimin e opozitës”, thekson ajo.

Sipas Eminit, mënyra sesi Kurti e ka adresuar këtë çështje tregon qartë natyrën pragmatike të qasjes së tij.

“Në fjalimin e tij të fitores, Kurti e adresoi këtë çështje me maturi, duke mos kërkuar bashkëpunim të përgjithshëm politik, por duke e lidhur çdo koordinim vetëm me rastet kur është i nevojshëm kuorumi dhe vota e opozitës. Kjo nuk ishte thirrje për bashkëpunim, por një qasje numerike dhe pragmatike”, vlerëson Emini.

Ajo rikujton se paralajmërime të tilla nuk janë të reja dhe janë përdorur edhe më herët si mjet politik.

“Kurti ka përmendur edhe më herët zgjedhje në dhjetor ose në pranverë, duke i dërguar opozitës mesazhin se mosvotimi për presidentin nuk është një strategji efektive”, shprehet ajo.

Emini sjell si shembull edhe situatën pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Një situatë e ngjashme u pa gjatë bllokadës pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, e cila në fund i kushtoi më shumë opozitës sesa qeverisë. Paralajmërimi i Kurtit sinjalizon se një skenar i tillë mund të përsëritet”, thekson ajo.

Sipas saj, edhe konteksti rajonal tregon se zgjedhjet e shpeshta shpesh përdoren si instrument për dobësimin e opozitës.

“Në rajon, liderë me pozitë të fortë politike shpesh kanë organizuar zgjedhje të njëpasnjëshme për të dobësuar opozitën. Në këtë kontekst, paralajmërimi i Kurtit nuk është i rastësishëm”, deklaroi Emini.

Ajo shton se opozita aktualisht ndodhet në një pozicion të pafavorshëm.

“PDK-ja është ende në fazë tranzicioni me udhëheqje të re, ndërsa LDK po përjeton ndryshime të brendshme dhe ka pak kohë për rikalibrim politik. Zgjedhje të reja në këtë moment do të ishin shumë më të dëmshme për opozitën sesa për qeverinë”, vlerëson ajo.

Të ngjashme