Presidenti francez propozon bashkëpunim ndërkombëtar për të luftuar grupet terroriste

Prishtinë | 24 Tet 2023 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi të martën një koalicion ndërkombëtar për të luftuar grupet terroriste me një model të ngjashëm me luftën kundër ISIS.

Macron tha se Hamasi është i krahasueshëm me ISIS-in dhe Al Kaeda-në “në veprim dhe qëllim”. Duke folur së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ai dënoi “urrejtjen e pastër” dhe “dhunën e pastër” të sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit, raporton CNN.

“Lufta [kundër grupeve terroriste] duhet të jetë pa mëshirë, por jo pa rregulla,” tha ai, duke bërë thirrje për akses humanitar dhe energji elektrike për popullsinë civile të kapur në luftime, pa një ndihmë të tillë për grupet terroriste.

Presidenti francez theksoi se veprimet e Hamasit “kalojnë përtej çdo kuptimi”, duke shënuar “një faqe të zezë në historinë tonë”.

Duke shprehur ngushëllimet e Francës ndaj Izraelit për sulmet, ai tha: “Dy vendet tona janë bashkuar nga e njëjta pikëllim”.

Të paktën 30 qytetarë francezë u vranë në sulmet e Hamasit dhe nëntë qytetarë francezë janë “të zhdukur ose të mbajtur peng”, tha ai.

Macron kërkoi që kauza palestineze të dëgjohet “me arsye”, duke shtuar se “kushti i parë” i një shteti palestinez në paqe dhe siguri duhet të jetë pranimi i ekzistencës dhe sigurisë së Izraelit.

Macron tha se do të vizitojë Ramallahun në Bregun Perëndimor gjatë ditës së sotme.

Të ngjashme