Përkundër që Xavi e refuzoi ofertën për ta zëvendësuar Ernesto Valverden në postin e trajnerit në Camp Nou, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, është shprehur i bindur se ai do të bëhet trajner i katalonasve dikur në të ardhmen.
Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, u emërua trajner i Barcelonës pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës, transmeton Gazeta Express.
Mediat botërore raportojnë se Barcelona fillimisht dëshironte ta emëronte Xavin për ta zëvendësuar Valverden, mirëpo trajneri aktual i Al Saddit bëri të ditur se kthimi i tij në Barcelonë mund të ndodhë vetëm gjatë verës.
Megjithatë, Setienit i është dhënë kontratë deri në fund të sezonit 2021/22 – duke i ulur gjasat që Xavi të kthehet në Camp Nou në fund të këtij sezoni. Por, presidenti Bartomeu është i bindur që Xavi do të kthehet në Camp Nou ndonjë ditë.
“Dera është e hapur për shumë trajnerë, por tanimë ne e kemi një trajner, Quique Setienin”, ka thënë Bartomeu, në një intervistë të dhënë për të përditshmen spanjolle Sport.
“Ai ka nënshkruar kontratë për dy vjet e gjysmë dhe unë ia kam sqaruar klauzolën në kontratë shkaku i zgjedhjeve të vitit 2021. Nëse një president i ri vjen dhe dëshiron ta ndryshojë trajnerin, ai mund ta bëjë këtë”.
“Por, natyrisht, Xavi do të jetë trajner i Barcelonës një ditë, nuk kam asnjë dyshim. Ai është shumë i aftë, ai është një person që e kupton plotësisht futbollin tonë. Ka shumë qejf ta bëjë këtë punë dhe një ditë do ta bëjë”.
“Por, tani e kemi Quique Setienin dhe mendoj dhe shpresoj se gjërat do të shkojnë me të vërtetë mirë sepse ai ka ardhur shumë i motivuar dhe ka thënë se do ta ndjekë filozofinë dhe stilin tonë të lojës”.
Ndeshja e parë e Setienit si trajner i Barcelonës do të jetë të dielën kundër Granadas, në La Liga.