Presidenti i Brazilit paralajmëron: Futbollin e pret kriza

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili hapi vendin e tij pak ditë më parë, duke i dhënë fund karantinimit në shtetin më të madh të Amerikës së Jugut, në një video të shpërndarë nga pallati presidencal foli për situatën në futboll, duke paralajmëruar se shumë klube mund të përballen me vështirësi të mëdha financiare.

Sipas Bolsonaros, klubet më të mëdha në vend si Flamengo dhe Palmeiras mund të hasin probleme financiare për shkak të mungesës së aktiviteteve të futbollit.

Mungesa e të ardhurave, sipas presidentit të Brazilit, mund të sjellë probleme në pagesën e pagave, por dhe shlyerjen e borxheve, ndërkohë që klubet e divizioneve të ulëta rrezikojnë falimtentimin.

Kreu i qeverisë braziliane, i cili e ka përshkruar virusin thjesht si një grip të zakonshëm, mendohet se kërkon të shfrytëzojë vështirësitë e futbollit për të patur kontroll ekskluziv mbi izolimin e vendit, pasi, pavarësisht se ai vetë ka lejuar hapjen e vendit, Gjykata e Lartë në Brazil u ka dhënë të drejten guvernatorëve dhe kryebashkiakëve që të aplikojnë masa shtrënguese izolimi në varësi të lokaliteteve që ata drejtojnë duke bërë të pavlefshëm dekretin e presidentit.

Rasti më i fundit ishte ai i guvernatorit të Sao Paolos, Joao Doria, i cili vazhdoi masat e distancimit shoqëror, pavarësisht urdhrit të presidenti të Brazilit, Jair Bolsonaro. Sipas këtij të fundit, hapja e futbollit dhe nisja normale e kampionatit do të lejonte klubet që të përballonin më me sukses situatën e vështirë financiare në të cilën gjenden.

Të ngjashme