Një javë pas komisionerit për zgjerimin, Shqipërinë e viziton Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai do të takojë kryeministrin Rama dhe më tej do të udhëtojë drejt Shkupit.
Vizita e Michel në Shqipëri vjen para zhvillimit të konferencës së Donatorëve për Shqipërinë dhe vendimit për negociatat.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Siç konfirmohet edhe nga agjenda zyrtare, kreu i Këshillit Michel, do të takohet në orën 12:50 me kryeministrin Edi Rama dhe më pas të dy zyrtarët do të kenë një konferencë për shtyp.
Kjo vizitë e kreut të Këshillit vjen një javë pas asaj të Komisionarit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Janari dhe shkurti janë muaj të rëndësishëm për institucionet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate.
Në Bruksel po përgatitet metodologjia e re e zgjerimit, e vendosur si kusht nga Franca për të miratuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Gjithashtu kjo vizitë vjen edhe në prag të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel.
Në të pritet të mblidhen fonde për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi, ritheksoi qëndrimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Qëndrim ky i mbështetur edhe nga Presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen, presidenca kroate e Këshillit nga Parlamenti Evropian.
Takimi i ardhshëm i Këshillit Evropian, ku pritet edhe një vendimmarrje për negociatat zhvillohet më 26 dhe 27 mars. Më tej gjatë vitit në muajin maj do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb të Kroacisë.