Presidenti i Kongos fiton 88 për qind të votave

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kongos, Denis Sassou Nguesso, i ka fituar zgjedhjet me mbi 88 për qind të votave, ndonëse është në pushtet që 36 vjet dhe vendi ndodhet në krizë të gjatë ekonomike.

Rivali i tij më i afërt, Guy Brice Parfait Kolelas, i cili vdiq vetëm disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit, mori më pak se 8 për qind të votave. Kolelas ishte duke u dërguar në Francë për t’u trajtuar për Covid-19.

Diplomatët dhe analistët politikë kishin pritur fitore të lehtë për Sassoun, i cili ka kontroll të rreptë ndaj institucioneve shtetërore në vendin afrikan me 5.4 milionë banorë, shkruan Reuters.

Partia kryesore opozitare i bojkotoi këto zgjedhje, ndërsa dy rivalë të rëndësishëm të presidentit u dënuan për krime pas zgjedhjeve të vitit 2016.

“Është ndjenjë e përgjegjësisë së madhe, sidomos ndaj të rinjve”, deklaroi presidenti i rizgjedhur para përkrahësve në fjalimin e fitores.

Sassou dikur ka qenë paraushtarak dhe erdhi në pushtet në vitin 1979. Ai i kishte humbur zgjedhjet në vitin 1992, por u kthye në pushtet më 1997 pas një lufte civile.

Ai e ndryshoi kushtetutën në vitin 2015 për t’i zgjatur kufizimet kohore të mandateve, të cilat do t’ia ndalonin rizgjedhjen një vit më pas.

Të ngjashme