Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se Superliga Evropiane “do të shpëtojë futbollin në këtë moment kritik” dhe ka insistuar se lojtarët që do të marrin pjesë në këtë garë nuk do t’u mohohet e drejta për ta përfaqësuar kombëtaren e tyre.
Komentet e spanjollit vijnë pasi 12 klube evropiane u pajtuan për të formuar një ligë të re që do të “nisë sa më shpejt që të jetë e mundshme”.
Duke folur për herë të parë pas njoftimit, shefi i ri i Superligës ka thënë se futbollit i duhet të evoluojë.
“Kurdo që ka ndryshim, ka njerëz që e kundërshtojnë atë. Po e bëjmë këtë për të shpëtuar futbollin në këtë moment kritik. Audienca po bie dhe të drejtat po bien dhe diçka duhet të bëhet. Jemi të gjithë të rrënuar. Televizioni duhet të ndryshojë që të përshtatemi. Të rinjtë nuk janë më shumë të interesuar në futboll. Pse? Sepse ka shumë lojë pa kualitet dhe s’janë të interesuar, kanë platforma të tjera në të cilat shpërqendrojnë veten”, ka thënë ai për “El Chiringuito de Jugones”.
Real Madridi në këtë garë është shoqëruar nga rivalët spanjollë Barcelona dhe Atletico Madridi si dhe klubet angleze Manchester United, Liverpool, Manchester City, Chelsea, Arsenal e Tottenham. 12-shja themeluese kompletohet me Milanin, Interin e Juventusin nga Italia. Liga do të ketë edhe tre anëtarë të përhershëm dhe pesë që do të kualifikohen për t’iu bashkuar.
Perez ka thënë se top-klubet po humbin ekonomikisht për shkak të pandemisë dhe zgjerimi i Ligës së Kampionëve nga UEFA nuk është përgjigja e duhur.
“Nëse vazhdojmë me Ligën e Kampionëve ka pak e më pak interesim dhe merr fund. Formati i ri, që nis më 2024 është absurd. Më 2024, jemi të gjithë të vdekur. Bashkë kemi humbur 5 miliardë euro. në dy sezone, Reali ka humbur 400 milionë euro”, ka thënë ai. “Kur nuk ke asnjë të hyrë tjetër pos televizionit, ju thoni se zgjidhja është që të keni ndeshje atraktive të cilat do të ndiqen nga e gjithë bota dhe me klubet e mëdha kemi ardhur në përfundim se në vend që të kemi Ligën e Kampionëve, më mirë të kemi Superligë që të kemi më të lehtë të lehtësonim humbjet”.
Ai i është përgjigjur UEFA-s duke thënë se lojtarët duhet të rrinë të qetë se nuk mund të përjashtohen nga kombëtaret. Ai është shprehur i bindur se Reali nuk do të përjashtohet nga Liga e Kampionëve.