Presidenti i porsazgjedhur i Iranit, Ebrahim Raisi, të hënën i mbështeti bisedimet mes vendit të tij dhe gjashtë fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, por prerazi e përjashtoi mundësinë për t’u takuar me presidentin amerikan, Joe Biden, edhe nëse Uashingtoni ia largon të gjitha sanksionet Teheranit.
Në konferencën e parë për gazetarë që nga fitimi i zgjedhjeve presidenciale të së premtes, ish-gjykatësi i rreptë tha se prioritet i tij në politikën e jashtme do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me vendet fqinje arabe, duke i bërë thirrje Arabisë Saudite që menjëherë ta ndërpresë intervenimin në Jemen.
Raisi, i njohur për kritikat e ashpra ndaj Perëndimit, do ta marrë zyrtarisht detyrën më 3 gusht, pasi atë do ta dorëzojë presidenti i deritashëm, Hassan Rouhani. Irani po zhvillon bisedime me fuqitë botërore për marrëveshjen ndërkombëtare që me gjasë do t’ia largonte sanksionet e ShBA-së, të cilat ia kanë goditur rëndë ekonominë.
“Ne i përkrahim bisedimet që i garantojnë interesat tona kombëtare. Amerika duhet të kthehet menjëherë në marrëveshje dhe t’i përmbushë obligimet e veta sipas marrëveshjes”, tha Raisi, i cili edhe vetë është në listën e sanksioneve amerikane.
Që nga prilli i këtij viti, delegacionet e fuqive botërore janë duke zhvilluar bisedime në Vjenë me delegacionin iranian për të gjetur një rrugë se si Republika Islamike dhe Shtetet e Bashkuara do të kthehen në marrëveshje.
Ish-presdienti Trump e largoi ShBA-në nga kjo marrëveshje në vitin 2018. Si kundërpërgjigje ndaj largimit të ShBA-së, Irani më pas filloi që t’i shkelte disa pika të marrëveshjes, duke pasuruar uranium mbi nivelin e lejuar.