Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka vizituar sot Kolegjin AAB, ku u prit nga menaxhmenti, stafi akademik dhe studentët e AAB-së. Me këtë rast, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, presidenti shqiptar mbajti edhe një ligjëratë për studentët, me temën “Shqiptarët si faktor stabiliteti në Ballkan”.
“Në AAB gjithmonë kanë ardhur personalitete të shquara të jetës publike, presidentë, kongresmenë, ambasadorë, etj., dhe studentët tanë kanë pasur rast të dëgjojnë ligjërata nga figura nga më të njohurat evropiane dhe botërore, por gjithmonë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, do të jetë personaliteti më i çmuar për ne”, tha në fjalën e tij mirëseardhëse rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha.
“Po të mos e kisha ditur që jam në Kosovë, do të kisha menduar se jam në një institucion universitar në Norvegji apo Finlandë”, tha në fillim të ligjëratës së tij presidenti Ilir Meta, duke shprehur mirënjohjen më të thellë për investimet e bëra në Kolegjin AAB.
Në ligjëratën e tij “Shqiptarët si faktor stabiliteti në Ballkan”, presidenti Meta theksoi se sundimi i ligjit, vlerat demokratike dhe integrimi euro-atlantik janë e vetmja rrugë për të Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai shprehu dyshime lidhur me nismën Ballkani i Hapur, ndërsa e cilësoi nismë rivalizuese ndaj Procesit të Berlinit, si dhe shqetësuese për shkak të qasjes së Serbisë.
Në fokus të ligjëratës së tij ishin edhe pengesat ekonomike-tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa përmendi se shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duhet të refuzojnë çdo rrugë që largon nga integrimi euro-atlantik.
Presidenti Meta theks të veçantë i kushtoi edhe shqetësimit për largimin e të rinjve nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa konstatoi se Shqipëria është vonuar në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ligjërata e sotme e presidentit shqiptar Ilir Meta, u pasua edhe me një seancë pyetje përgjigje, ku z.Meta u përgjigj në pyetjet e studentëve, ndërsa gjatë vizitës së tij ai pati rast të takohet edhe me studentët dhe personelin e AAB-së.
https://www.facebook.com/watch/live/?ref=watch_permalink&v=299080731942586