Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani shtroi pyetjen se kush janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të vendosin për Iranin dhe botën, duke reaguar ndaj kërcënimeve më të reja për sanksionet më të fuqishme në histori që më herët i bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
“Të gjitha vendet e botës dëshirojnë pavarësi në vendimet e miratuara të tyre. Amerikanët shumë herë ushtrojnë presion në disa vende duke imponuar rendin e tyre ditor, por logjika nuk e pranon tentimin që ata të vendosin në emër të mbarë botës”, tha Rouhani.
Ai tha se SHBA-të nuk mund të flasin në emër të mbarë botës.
“Kush jeni ju të vendosni për Iranin dhe botën? Koha për deklarata të tilla ka kaluar”, porositi Rouhani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo i bëri thirrje Iranit që të pushojë me prodhimin e armëve bërthamore dhe të heqë dorë nga mbështetja e “grupeve terroriste” në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se në të kundërtën Teheranit mund t’i vendosen “sanksionet më të ashpra në histori”.
Ai theksoi se nevojitet që të arrihet një marrëveshje e re bërthamore me Iranin, duke propozuar kushtin prej 12 pikave që do të gjendeshin në marrëveshjen e re.
Mes tjerash, Pompeo propozoi që Irani ta lajmërojë Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) për aktivitetet e tanishme dhe të mëhershme lidhur me prodhimin e armëve bërthamore. Njëra nga pikat ka të bëjë edhe me nevojën e dhënies fund të prodhimit të uraniumit, përfshirë edhe reaktorët e rëndë-ujor.