Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka kërkuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike, që t’i shmangë “fjalët dhe veprimet” që mund ta “përkeqësojnë” edhe më tepër situatën e tensionuar në Gadishullin Korean, ka raportuar të shtunën Televizioni shtetëror kinez.
Shtëpia e Bardhë të shtunën ka publikuar një deklaratë ku theksohet se Koreja Veriore “duhet ta ndalë sjelljen e vet provokuese dhe të ashpër” dhe se sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Phenianit, ishin “një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm” kah paqja dhe stabiliteti në Gadishullin korean.
Shtëpia e Bardhë tha se presidentët Trump dhe Xi e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për denuklearizimin e gadishullit.
Trump kërkoi që Kina të bëjë më shumë presion ndaj Koresë Veriore për ta ndalur programin e vet të armatimit atomik.
Kina është partneri më i madh ekonomik i Koresë Veriore dhe, po ashtu, burim i ndihmës, por insiston se nuk mund ta detyrojë Phenianin që ta përfundojë programin e vet atomik dhe raketor.
Biseda telefonike Trump – Xi u bë një javë pas këmbimeve të ashpra të fjalëve ndërmjet Uashingtonit dhe Phenianit, ndërsa Koreja Veriore tha se po e finalizonte planin për zjarr nga raketat e mesme dhe me rreze të gjatë veprimi, kah ishulli Guam, ku është e vendosur një bazë ushtarake strategjike e Shteteve të Bashkuara.