Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, është takuar sot me presidentin e Komitetit Olimpik të Kroacisë, Zlatko Matesha, takim ky që është mbajtur në Poreç të Kroacisë.
Të pranishëm në drekën e përbashkët ishin edhe kryetari i Federatës Botërore (WKF) dhe Evropiane (EKF) të Karatesë, Antonio Espinos, kryetari i Federatës së Karatesë së Kroacisë, Davor Çipek, i zgjedhur së fundi sekretar i përgjithshëm i EKF-së, si dhe këshilltari i presidentit Krasniqi, Besim Aliti.
Presidenti Matesha përgëzoi presidentin Krasniqi për zgjedhjen e tij në krye të KOK-ut, duke i uruar suksese dhe mbarësi gjatë ciklit olimpik 2021 – 2024.
Gjatë takimit u bisedua për çështje të ndryshme në promovimin e vlerave olimpike në të dyja vendet mike, me ç’rast të dy presidentët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e lartë për të bashkëpunuar në forma të ndryshme.
Po ashtu, të dyja palët u pajtuan që në të ardhmen e afërt të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes dy Komiteteve.
Presidenti Krasniqi, që është edhe kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, u urua edhe nga i pari i karatesë në botë, Espinos, i cili një ditë më parë në Kongresin e EKF-së, theksoi para të pranishmëve se për komunitetin e karatesë është nderë që një kryetar i Federatës së Karatesë është emëruar në krye të një Komiteti Olimpik Kombëtar, duke veçuar rastin e tillë si të parin në botë.
Presidenti Krasniqi dhe këshilltari Aliti uruan edhe sekretarin Çipek për pozitën e re në Federatën Evropiane të Karatesë.
I pari i KOK-ut ndodhet në Poreç, ku po zhvillohet Kampionati Evropian i karatesë, në të cilin Kombëtarja e Kosovës po paraqitet me 14 karateistë.