Serbia dhe Aleksandar Vuçiç na kanë borxh një përgjigje për rastin e sulmit në veri të Kosovës.
Kështu është përgjigjur presidenti kroat, Zoran Milanoviç, një pyetjeje mbi situatën e fundit të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të organizuar terrorist në Banjskë, ku i vrarë mbeti një polic kosovar.
Sipas Milanoviç, situata është shumë serioze dhe si e tillë duhet trajtuar. Ndaj, jo vetëm Kroacia, por e gjithë bashkësia evropiane, pret një përgjigje konkrete dhe hetim të thelluar nga Serbia për sulmin.
Në të kundërt, do të jetë detyrë e Bashkimit Evropian, të shohë se si do të veprojë me Beogradin.
Nga ana tjetër, për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajam Begaj negociatorët e dialogut Kosovë-Serbi duhet të kenë një qasje të re pasi gjërat nuk janë më si më parë mes dy vendeve.
Deklaratën, kreu i shtetit shqiptar e ka bërë në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin kroat Zoran Milanoviç, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë nga Begaj.
“Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj Izraelit bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 24 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë, dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, ravijëzoi Begaj.
Ky i fundit falënderoi Milanoviç për mbështetjen e dhënë për Kosovën dhe dënimin e sulmit të armatosur në Veri të Kosovës.
Kujtojmë se, rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe, nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.