Presidenti Meta fton partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Fillimi i muajit shtator shënon hapjen e sezonit politik, që pritet të jetë intensiv për shkak se 2021 është një vit elektoral në Shqipëri.

Ditën e martë ishte presidenti shqiptar, Ilir Meta, që në letrën dërguar të gjitha partive politike në vend, u bëri thirrje që të fillojnë konsultat për vendosjen e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Presidenti i ka ftuar drejtuesit e partive politike që në datën 4 shtator ora 11, të shkojnë në Presidencë dhe të caktojnë një datë konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve.

Deri më tani nga partitë politike, vetëm Partia Socialiste ka deklaruar se data e preferuar është 10 maji, ndërkohë partitë e tjera nuk kanë përcaktuar data.

Po ditën e sotme ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ua ka dërguar një letër 3 partive kryesore në vend, duke ju bërë thirrje që të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 2021-s. Ambasadorja Kim u ka kërkuar liderëve politikë të mbajnë përgjegjësi për kandidatët për deputetë, që të mos preken nga ligji i dekriminalizimit. Ambasada e SHBA-së në Shqipëri paralajmëron se do të vazhdojë të përcaktojë individë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm sipas nenit 7031 (c) gjatë afishimit vjetor (refuzim i vizave). Ndërsa u kërkon liderëve politikë t’i mbajnë këta individë të njohur, të korruptuar, jashtë listës së partisë që ato drejtojnë.

“Më 22 korrik ne nënvizuam publikisht se udhëheqësit e partisë janë përgjegjës për kandidatët që garojnë nën logon e partisë. Ndërsa partia juaj përgatitet për fushatën zgjedhore, ju si udhëheqës i partisë duhet të siguroni pajtueshmërinë me ligjin shqiptar. Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike të bëjnë veting për kandidatët dhe të kandidojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individët janë përgjegjës të deklarojnë historinë e tyre kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë funksione nën siglën e tyre. Ligji i dekriminalizimit përcakton se personat e dënuar, të ndjekur penalisht ose me rekorde penale në Shqipëri ose jashtë, nuk kanë të drejtë të emërohen në poste publike, d.m.th. të zgjedhur nga qytetarët, ose të emëruar në poste brenda administratës publike, ose institucioneve të përcaktuara në Kushtetutë ose akte të tjera ligjore. Çdo falsifikim ose mosdeklarim mund të përbëjë një vepër penale që i nënshtrohet dënimit sipas legjislacionit penal. Në përputhje me Ligjin e dekriminalizimit, disa deputetë dhe kryetarë të bashkive ose kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar, dhe të tjerët janë hetuar. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin dhe qëndrojnë me këdo që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar. Ne do të vazhdojmë të përcaktojmë individë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm sipas nenit 7031 (c) gjatë afishimit vjetor. Ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke i mbajtur këta individë të njohur, të korruptuar jashtë listës suaj të partisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një mik, partner dhe aleat të NATO-s. Ne gjithashtu mbështesim fuqimisht aspiratën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE-në. Ne mbështesim dëshirën e popullit shqiptar për qeverisje të mirë nga përfaqësuesit e tij në Parlament, në përputhje me dëshirën e tij për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë“, thuhet në letrën e Yuri Kim.

Zyra e shtypit në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë ka konfirmuar kohë më pare se ua ka refuzuar vizën 170 nëpunësve të lartë në Shqipëri e po ashtu edhe ish-zyrtarëve, së bashku me familjet e tyre, pa bërë të ditur emrat e personave, përpos përcaktimit të deputetit Tom Doshi dhe ish-prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, nga sekretari i Shtetit si të pakualifikueshëm për viza amerikane përgjithmonë.

Korrupsioni është arsyeja kryesore që ka penalizuar dhjetëra zyrtarë të lartë të administratës shtetërore në Shqipëri nga udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Selia diplomatike e SHBA-së vëren se refuzimi i vizave ka ardhur për shkak të informacioneve që ka marrë në lidhje me drejtues të lartë në Shqipëri të përfshirë në afera dhe abuzime, si dhe për të mbështetur përpjekjet antikorrupsion.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme