Propozimi i shumëdebatuar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufijve të Kosovës, është kritikuar ashpër edhe një herë nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta.
Presidenti i Shqipërisë, Meta, ka shfrytëzuar ligjëratën që ka mbajtur në qendrën evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Garmisch-Partenkirschen të Gjermanisë, të enjten mbrëma, për të shprehur edhe një herë kundërshtimin e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
“Propozimi i fundit për një debat të ri mbi atë që do të përbënte marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po konsumon shumë energji”, tha Meta në fjalimin e tij para rreth 100 të pranishmëve nga 42 vende, që ishin mbledhur në qendrën “George C. Marchall”.
Sipas Metës, hapja e një debati të tillë në një kohë kur janë ngritur flamujt e kuq sinjalizues e paralajmërues nga ShBA-ja dhe BE-ja për përfshirjen e aktorëve të tretë në rajon, e bën atë edhe më alarmues.
Sipas Metës, modeli evropian i bashkëjetesës është i vetmi kusht i domosdoshëm për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij evropiane.