Pas largimit të drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i ka dërguar presidentit Hashim Thaçi emrin e ri për pozitën e shefit të inteligjencës.
Haradinaj ka përzgjedhur Latif Merovcin për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Por, presidenti i vendit ka refuzuar që Merovci të jetë në krye të kësaj detyre. Kështu kanë bërë të ditur për “Gazeta Blic”, burime të afërta me presidencën.
Përpos Merovcit, Haradinaj kishte propozuar edhe Shkëlzen Sopjanin për shef të inteligjencës kosovare.
“Ramush Haradinaj ka dërguar emrin e Latif Merovcit për Drejtor të AKI tek Presidenti, Hashim Thaçi, por, burimet brenda presidencës bëjnë të ditur se Hashim Thaçi e ka emrin për drejtor të AKI-së dhe nuk do të pranohet ky emër”.
Sipas burimeve të “Gazetës Blic”, presidenti i vendit tashmë ka emrin e ri të Drejtorit të AKI-së dhe, prandaj, e ka refuzuar kandidatin e propozuar nga kryeministri, Haradinaj.
Merret vesh se Hashim Thaçi ka kërkuar shkarkimin edhe të Merovcit edhe të kryeinpsektorit Shkëlzen Sopjani nga AKI, pas skandaleve të fundit.
Gazeta ka kontaktuar me zyrtarë të Qeverisë për këta të fundit nuk kanë dashur të komentojnë.
Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi në ditën e djeshme edhe zyrtarisht e ka ofruar dorëheqjen nga ky post.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.“Po e ka dorëzuar edhe zyrtarisht dorëheqjen”, ka thënë Gashi.
Paraqitja e dorëheqjes së tij, ka ardhur pas vendimit që ka marrë javë më parë kryeministri Haradinaj për lirimin nga detyra. Përveç tij, Haradinaj kishte liruar nga detyra edhe Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, për shkak se ata nuk e kishin informuar lidhur me aksionin për arrestimin dhe deportimin e gjashtë qytetarëve turq.
Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancë për rastin e njohur si “gylenistët” me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së të mbështetur edhe nga VV dhe GDP.
Në po këtë seancë është votuar edhe “pro” krijimit të komisionit hetues në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit ka premtuar se veprime të tilla më nuk guxojnë të përsëriten.