Me rastin e pritjes tradicionale që presidenti i Gjermanisë, Frank- Walter Steinmeier, organizon për korin diplomatik botëror të akredituar në kryeqytetin e Gjermanisë në Berlin, ka zhvilluar një takim të veçantë lamtumirës me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu.
Xhakaliu i cili ushtroi detyrën e ambasadorit fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë nga qershori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2018 ka falënderuar presidentin Federal për angazhimin personal dhe institucional të Presidentit Steinmeier dhe Qeverisë së Gjermanisë, duke shprehur shpresën që ndihma dhe angazhimi gjerman do të vijojnë edhe në të ardhmen për Kosovën, qytetarët dhe institucionet e saj.
Presidenti Steinmeier ka falenderuar në mënyrë të veçantë ambasadorin Xhakaliu për punën e palodhshme në komunikimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të Gjermanisë me të Kosovës duke shprehur shpresën që Xhakaliu edhe në të ardhmen do të jetë në dispozicionin e dy vendeve për focimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe popujve, thuhet në një njoftim shtypi të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.
Ambasadorit të deritashëm të Republikës së Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë i ka organizuar drekë lamtumirëses si dhe është pritur edhe nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga Zyra e Kancelares Angela Merkel dhe nga Deputetë të Bundestagut nga fraksionet kryesore politike të CDU/CSU, SPD, Të Gjelbërtit dhe FDP.