Para udhëtimit për në ShBA, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar dhe i kanë harmonizuar qëndrimet për një përfaqësim sa më të mirë të Republikës së Kosovës në këtë takim të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë vizion të qartë dhe pajtueshmëri të plotë për një përfaqësim shtetëror sa më dinjitoz në rifillimin e dialogut, i cili pritet të jetë i vështirë.
“Republika e Kosovës është e bekuar më mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë dhe krerët shtetërorë janë shprehur optimistë se ky proces do ta përmbyllë kapitullin e hidhur të luftës dhe do ta forcojë paqen në gjithë rajonin tonë”, thuhet në komunikatë e Presidencës.
Ky takim vjen para nisjes për në Bruksel të kryeministrit Hoti i cili më 25 qershor do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.
Nga Brukseli, Hoti do të udhëtojë për Washington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë nis dialogu me Serbinë.
Nëse në takimin e Washingtonit do të jetë fokus zhvillimi ekonomik, në Bruksel Hoti ka thënë se do të bisedojnë për hapat që janë ndërmarrë në luftën kundër Coronavirusit, për mbështetjen nga ana e KE-së për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.