Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për anulimin e vendimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në orë të caktuar, raporton Ekonomia Online.
“Kam vendosur t’i drejtohem Gjykatës Kushtetues lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që parashihen me Kushtetutë. Kam bërë kërkesë për masë të përkohshme, askush nuk është mbi Kushtetutën për asnjë agjendë politike”.
Më tej ai ka thënë se askush nuk ka të drejtë ta shkel Kushtetutën e vendit për agjenda politike.
Thaçi ka ftuar për unitet e solidaritet të ndërsjellë, me bindjen se vendi do të kalojë edhe këtë sfidë, siç e ka quajtur ai.
“Si president duke respektuar në tërësi mandatin tim kushtetues, bazën ligjore, kemi kërkuar që në të ardhme pasi situata është emergjente për masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”.
“Sa i përket zhvillimeve tjera mbi Kushtetutën e Kosovës nuk qëndron askush, mbi ligjin askush nuk ka të drejtë të shkel Kushtetutën mbi asnjë agjendë politike”.
“Ftojë edhe një herë për unitet qytetarë për solidaritet të ndërsjellë për kujdes maksimal, për distancë fizike. Ftojë për përmbajtje edhe këtë vështirësi do ta kalojmë së bashku”.
Dalja masive e qytetarëve në mëngjes për tu furnizuar me ushqime, sipas tij, është rrezik për shpërndarje masive të Coronavirusit.
Thaçi ka bërë të ditur se i ka përcjell një letër kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar anulimin e vendimit.
“Me vendimin e Qeverisë njerëzit sot janë të detyruar të dalin dhe të furnizohen në mëngjes duke shkaktuar tolliv. Ato tollovi janë rreziku që ka krijuar Qeveria për shpërndarje masive të Coronavirusit”.
“I jam drejtuar me një letër edhe kryeministrit Kurti që të rishqyrtojë vendimin e tij që ka krijuar pa qartësi për qytetarët, që ta pezullojë atë vendim deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Thaçi, mbrëmë ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke vendosur masa për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Kreu i shtetit ka ftuar qytetarët dhe policinë e institucionet e tjera përgjegjëse mos ta respektojnë këtë vendim të paligjshëm.
Përderisa Qeveria përmes një komunikate për medie, tek gjatë të martës ka njoftuar për vendimet e marra në mbledhjen e mbrëmshme:
1. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);
2. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;
3. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;
4. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;
5. Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.