Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ekipin e Zyrës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë së Kosovës (MCC), udhëhequr nga Koordinatori Nacional, Petrit Selimi.
Presidenti ka ofruar mbështetjen e plotë për ekipin dhe për punën e tyre që synon të sjellë dhjetëra milionë euro investime nga kjo Agjenci federale amerikane.
“MCC është sukses i madh për Kosovën, vlerësim i madh për shtetin tonë”, ka thënë Presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “suksesi juaj reflekton edhe në marrëdhëniet tona me SHBA-të”.
“Përkrahja amerikane për zhvillim ekonomik, mbrojtje të ambientit dhe sundim të ligjit është e rëndësishme për të iniciuar një cikël të ri të zhvillimit të Kosovës”, ka theksuar presidenti.
Ndërsa, Petrit Selimi, koordinator i Zyrës së MCC-së ka informuar presidentin Thaçi për punën që po bën ekipi për të jetësuar prioritet e MCC-së.
“Ekipi i MCC-së në Qeverinë e Kosovës është i përkushtuar të zhvillojë projektet që do të sjellin përfitime maksimale për Kosovën”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “falënderojmë presidentin për përkrahje të vazhdueshme të zhvillimit te programit të MMC”.
Sipas Selimit, pas identifikimit të fushave investimeve, tash do të fillohet me realizimin e projekteve konkrete të investimeve, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.