Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar me urdhrin Hero i Kombit, Abdullah Tahirin, i vrarë në Burgun e Dubravës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Thaçi tha se Masakra e Dubravës ishte ndër masakrat më çnjerëzore, të cilën pushteti i atëhershëm i Serbisë e planifikoi mirë.
“Gjatë tërë kësaj jave në qendër të vëmendjes ishte një nga krimet dhe masakrat më çnjerëzore ajo e Dubravës. Shteti i Serbisë me planifikim dhe paramendim kishte tubuar në Burgun e Dubravës një numër të madh të të burgosurve me qëllim të vrasjes dhe shfarosjes së tyre. Abdullah Tahiri me të tjerë u vra mizorisht vetëm pse ishin shqiptarë që e donin lirinë e vendit”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se pavarësisht se përgjegjësit e kësaj masakre nuk janë dënuar, paralajmëroi se “krimet nuk do të vjetërsohen”
“Sot pas dy dekadash asnjë nga urdhërdhënësit e këtyre krimeve nuk dolën para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare, por këto krime nuk do vjetërsohen e harrohen asnjëherë. Burgosja ekzekutimi i Abdullah Tahiri nuk ishte i rastësishëm”, tha ai.
Duke folur për jetën dhe veprën e Abdullah Tahirit, i pari i vendit tha se ishte një figurë tipike e emancipimit politik të atyre gjeneratave që nuk pajtoheshin assesi me regjimin serb.
“Pas daljes në skenë të UÇK Abdullah Tahiri fillon hapat e parë. Duke qenë veprimtar i njohur burgoset nga policia serbe. Abdulah Tahiri u bë emër frymëzues për shumë luftëtarë anë e kënd Kosovës”, tha presidenti.
Presidenti tha se Kosova ka arritur sigurt në të gjitha segmentet e shtetësisë.
“Dje kishim UÇK-në, sot Kosova ka ushtrinë e saj. Ka mbetur ende disa sfida në integrime euroatlantike. Orientimi ynë euroatlantik është e vetmja alternativë. Në këtë rrugë Kosovën nuk do të mund ta ndalë askush. Sot duke kujtuar Abdullah Tahirin kujtojmë dhe shprehim respektin më të lartë për të rënit në Burgun e Dubravës.
Ilir, djali i Abdullah Tahirit tha se tani është koha të ndërtohet Kosova si e lanë amanet dëshmorët.
“Kosova nuk mund të ketë ecur me ritmin e duhur por kam bindjen dhe shpresën se vendi ynë do jetë ashtu siç dëshmorët tanë e deshën. Mund të ketë frustrime se nuk janë realizuar shumë qëllime por dekadë pas dekade Kosova ka dëshmuar se është më e madhe dhe më e fuqishme se pengesat që po përballemi”, tha ai.
Edhe deputeti i AAK-sw, Ahmet Isufi e vlerësoi lart figurën e heroit Abdullah Tahriti.
“Abdullahu nuk ishte ai që u bashkohej proceseve, ai i priu proceseve në të mirën e kombit të vet. Në vitin 81 është i pari që përplasi tabakën e ushqimit për të tregu se këtu po fillon një fazë e re e çlirimit të vendit tonë”, tha ai.
Shaqir Shaqiri, në emër të shoqatave të dala nga lufta, tha se Tahirin e burgosen por jo edhe idenë e tij.
“Ai u ngrit kundër politikës pasive dhe partive që krijonin ndasi. Në 98 lëshoi kushtrimin se shqiptarëve nuk u duheshin parti por të bashkoheshin në një lëvizje. E burgosën Abdullahun por jo idenë e tij. Burgosja dhe torturat nuk e nënshtruan Abdullahun. Ai la pas një histori të lavdishme para së cilës ne përulemi me krenari”, përfundoi ai.