“Presidenti Trump nuk është nën hetime”

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 17:21 | Nga

Avokati personal i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë sot se Trump nuk është duke u hetuar në hetimin ndaj përzierjes ruse në zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA, duke shtuar se presidenti nuk ka marrë asnjë informatë se ai është duke u hetuar.
Jay Sekulow, i cili është pjesë e ekipit të zgjedhur nga Trump për t’u marrë me akuzat se ekipi i fushatës së tij kishte marrëveshje të fshehtë me Moskën, e ka kundërshtuar deklaratën e Trumpit i cili të premten që lamë pas shkroi se është nën hetime për shkak se e ka shkarkuar drejtorin e FBI-së muajin e kaluar, transmeton Express.

“Po hetohem sepse e kam shkarkuar drejtorin e FBI-së nga njeriu që më tha ta shkarkoja drejtorin e FBI-së! Persekutim!” shkroi Trump të premten.

Por, Sekulow ka thënë se deklarata e Trump ishte reagim ndaj lajmit të Washington Postit në të cilin thuhej se prokurori i përgjithshëm Robert Mueller po vlerësonte nëse Trump kishte tentuar ta pengonte hetimin duke e shkarkuar drejtorin e FBI-së, James comey.

“Fakti është se presidenti nuk ka qenë dhe nuk është nën hetime,” ka thënë Sekulow.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme