Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin ka shkelur sot Kushtetutën e Kosovës, duke vendosur masa për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Kreu i shtetit ka ftuar qytetarët dhe policinë e institucionet e tjera përgjegjëse mos ta respektojnë këtë vendim të paligjshëm. Ai tha se qysh nesër do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që ta me kërkesë për anulimin e këtij vendimi të cilin e quajti të rrezikshëm.
Në një konferencë për media në orët e vona, kreu i shtetit tha se Kurti me qeverinë e tij në mënyrë flagrante e kanë shkelur kushtetutën e Republikës, raporton Ekonomia Online.
Ai citoi nenet e Kushtetutës që saktësojnë se kjo nuk mund të shpallet pa gjendje të jashtëzakonshme të cilën mund ta shpallë Kuvendi.
“Kryeministri Kurti e ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës. Kjo është e papërgjegjshme me ligjet e Republikës së Kosovës. Vendimi për kufizimin e lirisë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Kufizimi i lirive mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme”.
“Unë do të respektoj kushtetutën e Kosovës dhe do të kujdesem që institucionet të veprojnë sipas ligjit në vendin tonë. Do ta kundërshtoj çdo institucion qe shkel kushtetutën dhe ligjet e vendit. As qeveria as një institucion nuk ka mandat t’i mohojë të drejtat e qytetarëve. Qeveria Kurti ka shkelë një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës”, theksoi presidenti.
“Unë do të respektoj Kushtetutën e Kosovën, por edhe do të kujdesem që institucionet të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Unë do ta kundërshtoj çdo institucion që e shkel Kushtetutën e vendit”, theksoi presidenti Thaçi.
“As qytetarët, as policia as organet e tjera, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti-kushtetues të Qeverisë”, tha ai.
Presidenti thërret konferencë për medie në orën 22:30
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur konferencë për media pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e masave për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, i cili bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Presidenti Thaçi do të dalë në konferencë në orën 22:30, në ndërtesën e Presidencës.
Vendimi për kufizim të lëvizjes së qytetarëve paraqet shmangie nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me Kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm kur shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme.