Presidentja e re e Venezuelës i bën thirrje Trumpit për paqe dhe dialog

Prishtinë | 05 Jan 2026 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Delcy Rodriguez, ushtruese e detyrës së presidentes së Venezuelës dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Nicolas Maduros, ka sinjalizuar një qasje më pajtuese ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rodriguez, juriste dhe diplomate me përvojë, ka mbajtur poste të ndryshme politike gjatë regjimit të Maduros dhe si zëvendëspresidente 56-vjeçare ishte pjesë e rrethit të ngushtë të tij. Ajo e ka quajtur Maduron “presidenti i vetëm” dhe më herët ka kërkuar publikisht lirimin e tij, raporton BBC.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar një bisedë me Rodriguezin, gjatë së cilës ajo ka shprehur gatishmërinë për të bërë “çfarëdo që SHBA-ja kërkon”.

Trump, në një intervistë për “The Atlantic”, e kishte paralajmëruar Rodriguezin se do të “paguante një çmim edhe më të madh se Maduro” nëse nuk “bën gjërat si duhet”.

Në të kaluarën, Rodriguez kishte refuzuar publikisht që Venezuela të bëhej “koloni e një perandorie” dhe kishte kërkuar lirimin e Maduros. Megjithatë, në mbledhjen e saj të parë të kabinetit, të mbajtur të dielën, ajo përdori një ton më të moderuar, duke i bërë thirrje SHBA-së për bashkëpunim.

Ajo deklaroi se Venezuela është e përkushtuar ndaj paqes dhe synon marrëdhënie “të balancuara dhe respektuese” me Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë zyrtare, Rodriguez ftoi Qeverinë amerikane të bashkëpunojë me Venezuelën “në një agjendë bashkëpunimi” brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare.

“Presidenti Donald Trump, popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë. Venezuela ka të drejtë për paqe, zhvillim, sovranitet dhe një të ardhme”, tha ajo.

Ndërkohë, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, pritet të paraqiten sot në gjykatë në New York. Ata u arrestuan nga forcat amerikane në një aksion të zhvilluar në orët e hershme të së shtunës në Karakas dhe akuzohen për narkoterrorizëm.

Të ngjashme