Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dje njoftoi për vendimin e saj ndaj kërkesës së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit z. Shqipdon Fazliu, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e plotë të vendimeve gjyqësore të tri shkallëve të sistemit të rregullt të drejtësisë, të cilat, këtij kandidati ia kishin refuzuar si të pasafatshme padinë kundër vendimit të Këshillit Prokurorial për mospërzgjedhjen dhe mospropozimin e tij si kandidat për kryeprokuror, respektivisht kundër vendimit për propozimin e z. Blerim Isufaj si kandidat për Kryeprokuror të Shtetit.
Që nga pranvera (prill 2022) e vitit të kaluar, Republika e Kosovës nuk ka Kryeprokuror të Shtetit dhe këtë “dhuratë” këtij shteti dhe kësaj shoqërie, ia bënë vetë krerët e klasës politike që sot është në pushtet dhe e ka gojën plotë rend e ligj e luftë kundër krimit të çfarëdollojshëm të (pa) vetëdijshëm që asnjërën prej tyre nuk e kanë në kuadrin e detyrave dhe përgjegjësive që ushtrojnë.
Sepse pikërisht sundimi i rendit, i ligjit dhe luftimi i krimit përveç fjalëve të bukura e vullnetit politik të politikanëve (e cila zakonisht mund të shprehet në ndarjet buxhtore për të përmirësuar kushtet për punë) është në përgjegjësinë ekskluzive të prokurorëve dhe gjyqtarëve të Republikës së Kosovës.
Si rezultat, Presidentja Osmani, që nga prilli i vitit të kaluar është në shkelje të vazhduar kushtetuese me faktin e mosdekretimit të z. Isufaj, duke keqpërdorur detyrën e saj dhe duke mbyllur sytë përballë detyrimit për të “konfirmuar” propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Arsyetimi i saj për mosdekretimin e z. Isufaj se, është “në pritje të shterimit të mjeteve juridike nga ana e kandidatëve të tjerë që kishin aplikuar”, përveçse ishte i paqëndrueshëm, ishte edhe i pabazë. Sidoqoftë, siç e kam thënë edhe në disa raste të tjera, prapa këtij arsyetimi absurd, fshihej motivi i ulët i pushtetarëve për të blerë kohë, e përmes saj, për të arritur që të miratohet e të hyj në fuqi edhe Ligji i ri për Këshillin Prokurorial, në mënyrë që përbërja e re e këtij të fundit, të tërheqë propozimin dhe emrin e z. Isufaj për dekretim dhe të propozoj kandidatin e “përshtatshëm” dhe të “preferuar” të saj/tyre për këtë pozitë. Edhe pse nuk ju dolën llogaritë, ia dolën në orvatjen e tyre të dëshpëruar për ta zvarritur procesin deri te vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Por, çfarë mund të ndodhë pas publikimit të këtij aktgjykimi?
Në rastin e parë, nën supozimin se presidentja ka pritur “shterimin” e mjeteve juridike të kandidatëve që ishin ankuar, me qëllimin që të sigurohet juridikisht për vendimin e saj për (mos) dekretim, atëherë ky kusht u plotësua dhe gjithçka lidhur me procesin e rekrutimit të pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit u sqarua. Aktgjykimi, e konfirmoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese e as ligjore në këtë proces dhe hapi rrugën për dekretimin e z. Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.
Në rastin e dytë, nëse zgjedh të këshillohet nga “ekspertët” që pretendojnë se presidentja ka diskrecion (mundësi) dhe jo detyrim për të ta konfirmuar z. Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit, atëherë jam i bindur se do të bëjë shkelje serioze të dyfisht kushtetuese (e para për mosveprimin e saj deri më tani – shkelja e vazhduar kushtetuese, dhe e dyta, vulosja e aktit për mosdekretim – si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke bërë që të minohet dhe pamundësohet “administrimi i drejtësisë”, në mungesë të Kryeprokurorit të Shtetit, si bartës i këtij funksioni (krahas me kolegët e tjerë gjyqtarë e prokurorë).
Përndryshe, nëse për shkeljen e “parë”, Kuvendi (lexo Grupet Parlamentare – së paku tridhjetë deputetë) – si palë e autorizuar të ngrejë çështjen nëse Presidenti i Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës – e kurseu nga dërgimi në Kushtetuese, me qëllimin e rikonfirmimit dhe riverifikimit të procesit, në rastin e dytë, e ka obligim kushtetues t’a bëjë një gjë të tillë, sepse pas aktgjykimit të djeshëm kanë pushuar të gjitha arsyet për mosdekretim të z. Isufaj, e rrjedhimisht edhe arsyet për mos ngritjen e një rasti të ri për të mbrojtur rendin kushtetues nga arbitrariteti dhe veprimtaria anti-kushtetuese dhe anti-shtetërore, e pushtetarëve abuzues.
Jam i bindur se në pikëpamje kushtetuese ka vetëm një rrugë, e ajo është dekretimi i z. Isufaj, dhe atë, menjëherë nga publikimi i aktgjykimit dhe të gjithë pa përjashtim të marrin mësimin se nuk ka fare mundësi kushtetuese politika për ti futur duart aty ku nuk i takon – në drejtësi.