Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, si dhe është vënë në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së, konfirmoi këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u ndalua në Serbi më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus. Autoritetet serbe po e ngarkojnë atë me veprën “vrasje e rëndë”.
Nga familja e ish-policit ka pasur thirrje drejtuar krerëve të vendit që të reagojnë për arrestimin e tij nga Serbia.
Gjykata e Lartë në Suboticë dje për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
“Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku”, raportoi REL.
Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.
“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen e policisë.