Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit Rushit Ramabaja, duke e vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe gazetarinë shqiptare në Kosovë.
Në komunikatën e Presidencës, Osmani ka thënë se lajmin për vdekjen e Ramabajës e ka pritur me pikëllim të thellë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i angazhuar, një emër i veçantë i kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë”, thuhet në reagimin e saj.
Presidentja ka theksuar se për dekada me radhë, Ramabaja ka dhënë një kontribut të çmuar përmes punës së tij profesionale dhe krijuese.
“Për dekada me radhë, përmes punës së tij në ‘Rilindja’, Radio Kosova dhe përmes një trashëgimie të pasur letrare me mbi 20 vepra, ai i dha zë mendimit kritik, fjalës së lirë dhe shpirtit krijues”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, vepra dhe përkushtimi i Rushit Ramabajës do të mbeten të gjalla në kujtesën kulturore të vendit.
“Vepra dhe përkushtimi i tij do të jetojnë gjatë në kujtesën kulturore të vendit tonë”, është shprehur presidentja.
Në fund, Osmani ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin kulturor.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor. I përhershëm qoftë kujtimi për Rushit Ramabajën!”, thuhet tutje në komunikatë.
