Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal serb prej 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.
“Pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb, i cili mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar, ndaj ka potencuar se ka dëshmitarë të mbijetuar, kështu që drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë.
“Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Ka dëshmitarë të mbijetuar, ndaj drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë. Lufta jonë për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb”, ka theksuar Presidentja Osmani.