Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Mediet kanë mundur të marrin pamje nga takimi, ndërsa nuk ka pasur deklarime për gazetarët.
Ndërsa sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si prioritet shtetëror i vendit tonë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur hapat konkretë të ndërmarra nga institucionet e Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Ndërsa ambasadori Szunyog thuhet se ka theksuar se raporti i sivjetëm njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.
Në temën e reformave, Presidentja Osmani ka folur mbi vullnetin e institucioneve të Republikës për ta vazhduar punën intensive në luftim të krimit dhe korrupsionit, dhe ka deklaruar vendosmërinë për fuqizim të sundimit të ligjit në të gjitha sferat.
Presidentja Osmani ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja më tej potencoi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash.
Ndryshe, Komisioni Evropian gjatë ditës së sotme ka publikuar raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimorë. Raporti përshkruan pak përparime në Kosovë ndërsa kërkon thellimin e reformave dhe angazhim më të madh në bisedimet me Serbinë.
Në të, në gjetjet kryesore është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar se në dialogun me Serbinë duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e kyçe për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.
LEXO EDHE: