Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, pas votimit pro anëtarësimit të Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në takim u diskutua për zhvillimet dhe pritshmëritë përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
Në mes tjerash, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Guérot diskutuan edhe për mbajtjen peng të qytetarëve, si dhe arrestimin e policëve të Kosovës nga ana e Serbisë në zonat kufitare. Presidentja Osmani potencoi se dihet qartë se kush qëndron pas kësaj dhe se ku duhet kërkuar përgjegjësi. Për më tepër, ajo potencoi se trajtimi johuman dhe bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Ajo ka cekur po ashtu, se këto zhvillime krijojnë atmosferë të rënduar dhe frike në mesin e qytetarëve.
Me këtë rast, Ambasadori Guérot e përgëzoi Presidenten Osmani për organizimin e suksesshëm dhe mbarëvajtjen e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.