Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH) të udhëhequr nga presidentja e BERZH, Odile Renaud Basso.
Në takim, Presidentja Osmani e vlerësoi punën e BERZH në Kosovë dhe faktin që BERZH mbështet projekte të cilat përfundimisht kontributojnë në avancimin e mirëqenies së qytetarëve. Në veçanti ajo potencoi punën e bërë në fushën e sektorit të energjisë, ndërtimin e kapaciteteve të sektorit privat, dhe punën në drejtim të fuqizimit të grave dhe vajzave në ekonomi. Presidentja Osmani tha se mbështetja e projekteve infrastrukturore, por edhe ofrimi i ekspertizës në fusha të ndryshme, kanë ndikuar në avancimin e gjithmbarshëm të punës së institucioneve në vend.
Duke diskutuar për prioritetet në fushën e politikave dhe orientimin zhvillimor, Presidentja Osmani bëri thirrje për ndihmë të vazhdueshme në drejtim të përballimit të sfidave në sektorin e energjisë, fuqizimin dhe aktivizimin e grave dhe vajzave në tregun e punës, si dhe angazhimin për tkurrjen e hendekut në mes të nevojave të tregut të punës dhe sistemit arsimor në vend.
Nga ana e BERZH u prezantuan projektet aktuale dhe të ardhshme, si dhe u vlerësua fakti se me rezultate pozitive siç ishte rasti i vlerësimit të Kosovës në Indeksin e Percepsionit të Korrupsionit, Kosova shihet gjithnjë e më shumë si vend kredibil dhe partner serioz për bashkëpunim.
Palët u dakorduan për bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm në drejtim të mundësimit të jetësimit të sa më shumë projekteve investive e zhvillimore të cilat do të kontribuojnë përfundimisht në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.