Presidentja takon liderët e partive javën e ardhshme për caktimin e datës së Zgjedhjeve Lokale

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Pas disa muajsh në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale dhe për këtë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e ardhshme pritet t’i ftojë për konsultime përfaqësuesit e partive politike.

Burime të mirëinformuara të Demokracia.com kanë treguar se presidentja Vjosa Osmani tashmë ka vendosur që t’i thërras për konsultime partitë politike dhe javën e ardhshme pritet të merret edhe vendimi datën e Zgjedhjeve Lokale.

Duke pasur parasysh se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën në muajin tetor të vitit 2017, pritet që edhe zgjedhjet e sivjetme lokale të mbahen në po këtë muaj. Megjithatë, preferencë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo mësohet se është që ato të mbahen sa më herët që është e mundshme, pasi që performanca jo e kënaqshme qeverisëse mund ta zbehë momentumin e tyre të favorshëm politik.

Demokracia.com nga burime të afërta me këto dy subjekte politike mëson se gjasat janë që Zgjedhjet Lokale të mbahen edhe në muajin shtator.

Neni 4(2) i Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale përcakton se zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit të organeve aktuale komunale. Neni 4(3) i po këtij ligji parasheh se vendimi i presidentes për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër (4) muaj dhe jo më herët se gjashtë (6) muaj para datës së zgjedhjeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme