Qeveria serbe vendosi në 24 orët e fundit pezullimin e të gjitha aktiviteteve ushtarake me vendet e tjera, pas njoftimit se do të merrte pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake me Rusinë në Bjellorusi.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin deklaroi pas një mbledhjeje të ekzekutivit se Beogradi ndodhet nën një presion sipas tij “të tmerrshëm dhe të pamerituar” nga Bashkimi Evropian.
“Presione të pakuptimta dhe të pabaza janë rezultat i histerisë që përcakton vendimet politike dhe drejtimet që zgjedhin vendet e mëdha e të fuqishme”, deklaroi Vulin.
Ai theksoi se, paralajmërimi i BE-së ishte me largim nga rruga evropiane nëse vendi nuk tërhiqej nga stërvitja trepalëshe.
Një ditë më parë, qeveria bjelloruse njoftoi mbajtjen e stërvitjes “Vëllazëria Sllave 2020”, në të cilën do të merrnin pjesë forcat e armatosura ruse dhe ato serbe e që do të mbahej në qytetin Brest, mes datave 10 dhe 15 shtator.