Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor (KGjk), Nehat Idrizi dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial (KPK), Blerim Isufaj, kanë prezantuar planin e përbashkët “Drejtësia 2020”, ku morën pjesë dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conoll, shefja e misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulo dhe Cezary Michalczuck, shef i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë.
Ministri Tahiri tha se ky plan do të mundësojë rikthim të plotë të besimit në shtetin ligjor dhe se për shqyrtimin e një lënde nuk do të pritet më me vite, raporton Ekonomia Online.
Tahiri u zotua se brenda dy viteve do të zgjidhin disa prej sfidave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.
“Jemi përcaktuar që viti 2020 të jetë vit në të cilin nuk do të flitet më për temat e njëjta dhe vit në të cilin drejtësia kosovare do të funksionojë me efikasitet të plotë, dhe ku sistemi ynë i drejtësisë të jetë sistem plotësisht i besueshëm, llogaridhënës, i përgjegjshëm dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve. Brenda dy viteve do t’i zgjidhim disa prej sfidave që ballafaqohemi”.
“‘Drejtësia 2020’ do të sjellë ndryshim të prekshëm e të shpejtë, do t’u jap fund lëndëve të vjetra. Do të mundësohet profilizim i besueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
“Do të kujdesem që të nxisë edukim qytetar mbi sistemim e drejtësisë. Ne si institucione, nuk do të rrimë indiferent për asnjë moment, dhe nuk do të lejojmë që qytetarët tanë të presin me vite të tëra për përfundimin e një procesi gjyqësor. Nuk do të rrimë indiferent dhe të shohim bizneset tona që falimentojnë duke pritur përfundimin e rasteve gjyqësore”.
“Nuk do të rrimë indiferent në asnjë moment para adresimit të përgjegjësisë kudo që është e nevojshme. ‘Drejtësia 2020’ është përpjekje serioze për të përmbyllur kapitullin e gjatë”.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, u shpreh se mbesin të përkushtuar për fuqizimin e përformancës, transparencës e llogaridhënies, raporton EO.
“Shpreh mbështetje të palëkundur për ‘Drejtësinë 2020’. Ky zotim i përbashkët ndihmon përgjegjësitë dhe detyrat individuale të akterëve të përfshirë. Gjithmonë duke respektuar pavarësinë e sistemeve jemi më efikas dhe të suksesshëm. Ne mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e performancës, transprenës dhe llogaridhënies, përforcimin e efikasitetit gjyqësor”.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufi, tha se vet prezenca e njerëzve në këtë prezantim të këtij plani tregon përkushtimin për sundimin e ligjit.
“Kjo përbërje tregon përkushtimin tonë për sundimin e ligjit. Falënderoj të partnerët tanë që na kanë ndihmuar”.